Tragjedia e ndodhur në Koçan ka tronditur Maqedoninë e Veriut, ku 59 persona humbën jetën dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur. Dëshmia e shefit të sigurisë, Blagojço Georgiev, ka zbuluar disa detaje të rëndësishme në lidhje me ngjarjen, duke treguar për parregullsitë dhe kushtet e pasigurta në klubin ku ndodhi zjarri.
Georgiev, i cili ka siguruar klubin për dy vite, ka pohuar se brenda objektit ishin përdorur materiale shumë të lira për izolim, dhe ka shprehur shqetësimin për disa praktika të rrezikshme që kishin ndodhur gjatë punës së tij aty.
“Më dhemb shpirti, ka dy vite që njerëzit e mi sigurojnë diskotekën. Shefi është i pangopur. Edi që pjesa brenda është veshur me izolimin më të lirë , sfungjerin! Unë kam qenë prezent teksa po e bënin!”
Ai ka theksuar gjithashtu se kishte paralajmëruar pronarin për këto probleme, duke përfshirë faktin se fëmijët minorenë po lejoeshin të hynin në klub, megjithëse ai kishte raportuar këtë çështje. Sipas tij, pronari i klubit e kishte injoruar shqetësimin dhe kishte dhënë urdhër për të lejuar hyrjen e të rinjve.
“ E njoftova se fëmijët nën 15-vjeç po hyjnë në klub, ai më tha në rregull lejoi. Le t’i lënë lekët që ti fitojmë. Kush dha leje për ta kthyer atë barakë në disko? Kush e bëri inspektimin? Unë flas për sisitemin jo për individët.”-shton ai.
Të paktën 59 persona humbën jetën dhe qindra të tjerë u plagosën në zjarri që ra në klubin e natës në Koçan të Maqedonisë të Veriut. Klubi siç u zbulua, funksiononte me një licencë të falsifikuar dhe u konstatuan një sërë dëmtimesh të rënda sigurie.
Pronari i klubit tentoi të largohej nga vendi por u arrestua së bashkuy me 19 persona të tjerë, mes të cilëve dhe ish-zyrtarë.