
Erion Braçe ka një propozim për deputetët e Parlamentit të Shqipërisë. Nga mbledhja e Komisionit të Ekonomisë, e cila u zhvillua oline, deputeti i PS-së ka kërkuar që periudha e ciklit menstrual për gratë dhe vajzat të njihet si sëmundje dhe të paguhet nga buxheti i shtetit. Vështirësitë që kalojnë gratë dhe vajzat gjatë kësaj periudhë, sipas Braçes duhet të konvertohet në lehtësim duke u ofruar ditë pushimi.
Sipas tij një iniciativë e tillë nuk ka kosto të lartë dhe sygjeron që kjo të përfshihet në iniciativat e Ministrisë së Shëndetësisë.
“A ka mundësi që grave dhe vajzave tu njihet periudha e ciklit si periudhë sëmundje dhe e paguar. Raport i paguar nga buxheti i shtetit, pasi po e konsiderojnë sëmundje lart e poshtë dhe është mirë që një iniciativë të tillë që nuk kushton shumë, që duhet kalkuluar të përfshihet në iniciativat e ministrisë së Shëndetësisë”, tha Braçe.
Po ashtu ai ka shtuar se paketa higjeno-sanitare e grave dhe vajzave të përjashtohet nga TVSH, pasi sipas tij nuk i sjell të ardhura shtetit. Kjo do të thotë se në market apo dyqane, paketa higjeno-sanitare mund të dal me një çmim më të lirë.
“E dyta, a ka mundësi që paketën higjeno-sanitare të grave dhe vajzave pikërisht për ciklin ta përjashtojmë nga Tatimi mbi Vlerën e Shtetit, se nuk i shton asgjë buxhetit të shtetit. Nuk po kërkoj atë që po bën Evropa që ta paguaj qeveria këtë gjë, një herë në muaj, por minimumi po kërkoj që të përjashtohet nga Tatimi mbi Vlerën e Shtetit”, deklaroi ai.
Spanja është një nga vendet që ka miratuar ligjin që njeh si ditë pushimi periudhën e ciklit mestrual. Këtë propozim e kanë hedhur për miratim edhe vende të tjera të Europës, dhe janë në pritje të miratimit.