Protesta para Kuvendit vijon të jetë e tensionuar, me përplasje të vazhdueshme mes demonstruesve dhe forcave të Policisë së Shtetit. Qytetarët kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, ndërsa kanë hedhur akuza të forta ndaj qeverisë gjatë gjithë tubimit.
Sipas informacioneve paraprake, shtatë efektivë policie kanë mbetur të lënduar gjatë incidenteve, ndërsa gjashtë protestues janë shoqëruar në Komisariatin nr. 1 në Tiranë për veprime të mëtejshme procedurale.
Përplasjet nisën pasi demonstruesit tentuan disa herë të çanin perimetrin e sigurisë të ngritur rreth Kuvendit. Ata larguan gardhet metalike të vendosura nga policia dhe u përpoqën t’i afroheshin godinës së Parlamentit. Gjatë tensioneve, protestuesit hodhën vezë, domate dhe shishe uji në drejtim të efektivëve, ndërsa policia reagoi me ujë me presion dhe spraj me piper për të shpërndarë turmën.
Protesta u zhvillua paralelisht me seancën e fundit plenare të këtij sesioni parlamentar. Organizatorët dhe pjesëmarrësit kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, si edhe shfuqizimin e disa ligjeve, ndërsa gjatë gjithë tubimit u dëgjuan thirrje kundër qeverisë dhe deputetëve.
Që në orët e para të grumbullimit, protestuesit mbërritën me arka të mbushura me vezë, të cilat më pas u përdorën gjatë përplasjeve. Situata u përshkallëzua pasi u hoqën gardhet mbrojtëse dhe demonstruesit tentuan të depërtonin drejt godinës së Kuvendit.
Gjatë ndërhyrjes së policisë u kryen edhe shoqërimet e para. Fillimisht u shoqërua një protestues, i cili dyshohet se vendosi kosha mbeturinash në mes të rrugës për të bllokuar qarkullimin, ndërsa më pas numri i të shoqëruarve arriti në gjashtë.
Pavarësisht ndërhyrjes së forcave të rendit, protestuesit vijuan të qëndrojnë përpara Parlamentit, duke brohoritur kundër qeverisë dhe deputetëve. Mes thirrjeve më të forta u dëgjuan “Analfabetë!” dhe “Parlament i krimit”, ndërsa situata në zonë mbetet nën masa të rrepta sigurie, me praninë e efektivëve të Policisë së Shtetit dhe Forcës Kombëtare të Sigurisë (FNSH).