Protestë në Patos kundër shkrirjes së bashkisë: Larg duart nga Patosi

Protestë në Patos kundër shkrirjes së bashkisë:…

Dhjetëra qytetarë të Patosit kanë protestuar paraditen e sotme kundër propozimit të Partisë Socialiste për reformën e re territoriale, që parashikon shkrirjen e kësaj bashkie dhe bashkimin e saj me Bashkinë Fier. Me pankarta në duar dhe thirrjet “Larg duart nga Patosi”, protestuesit kanë kundërshtuar ndryshimin, duke deklaruar se ai prek identitetin e qytetit të njohur për industrinë e naftës.

Protesta u zhvillua përpara godinës së Bashkisë Patos, ku morën pjesë qytetarë dhe përfaqësues të pushtetit vendor, të cilët shprehën mbështetje për qëndrimin e kryebashkiakut Fation Duro kundër kësaj reforme. Duro ka argumentuar se Patosi nuk është një bashki me performancë të dobët, duke iu referuar raportit të Komisionit për Reformën Territoriale, sipas të cilit bashkia renditet e 10-ta ndër 61 bashkitë e vendit në Indeksin e Funksionalitetit të Bashkive me 71.7 pikë.

Reforma e propozuar nga Partia Socialiste parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 në 46, me shkrirjen e disa njësive vendore dhe bashkimin e tyre me bashki më të mëdha. Përveç Patosit, në listën e bashkive që propozohet të shkrihen janë edhe Fushë-Arrëz, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Memaliaj, Libohovë, Cërrik, Belsh dhe Përrenjas. Ndërkohë, Partia Demokratike ka propozuar një model tjetër me rritjen e numrit të bashkive në 100.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit