Protestuesit: Do kallëzojmë në SPAK Drejtorin e Policisë

Protestuesit: Do kallëzojmë në SPAK Drejtorin e…

Protesta qytetare kundër qeverisë vijoi edhe këtë të diel, duke shënuar ditën e saj të 43-të. Ashtu si në mbrëmjet e mëparshme, protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe më pas marshuan drejt Kryeministrisë, ku mbajtën fjalime dhe përsëritën kërkesën për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Gjatë tubimit, aktivistët në protestë njoftuan se të hënën, në orën 13:00, do të dorëzohet në SPAK një kallëzim penal ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, me pretendimin për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Nisma lidhet me deklaratat e fundit të kreut të Policisë, i cili ka bërë të ditur se po zhvillohen hetime ndaj mbi 10 mijë qytetarëve për vlerësimet negative të lëna në rrjetet sociale. Ata argumentuan se një procedim i tillë nuk ka bazë ligjore, pasi Kodi Penal nuk parashikon si vepër penale publikimin e “reviews” apo vlerësimeve negative në platforma online.

Pas përfundimit të fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit vijuan marshimin në rrugët kryesore të Tiranës. Organizatorët theksuan se protesta do të vazhdojë edhe në ditët në vijim, duke deklaruar se nuk do të ndalen deri në realizimin e objektivave të tyre.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit