Edhe pse protesta para Kuvendit vijon prej disa orësh dhe është shoqëruar me tensione e përplasje me forcat e policisë, një moment ndryshe është regjistruar në fund të tubimit.
Disa prej protestuesve kanë nisur të pastrojnë ambientet përreth Parlamentit, duke mbledhur mbeturinat e krijuara gjatë protestës. Në pamjet e siguruara nga vendngjarja shihen qytetarë me qese në duar, teksa mbledhin shishe plastike, letra dhe mbetje të tjera të shpërndara në trotuare dhe në rrugë.
Mbeturinat ishin krijuar pas konsumimit të ushqimeve dhe pijeve gjatë protestës, por edhe si pasojë e tensioneve që shoqëruan tubimin, ku u hodhën sende të ndryshme në drejtim të forcave të policisë.
Pas përfundimit të pastrimit, protestuesit i vendosën qeset me mbeturina përpara kordonit të efektivëve të Policisë së Shtetit, në një veprim simbolik që u pasqyrua edhe në pamjet e publikuara nga vendi i ngjarjes.
Ndërkohë, situata para godinës së Kuvendit mbetet nën monitorimin e forcave të rendit, ndërsa protesta ka vijuar me thirrje dhe kërkesa drejtuar qeverisë.