Protestuesit përplasen me policinë, humb ndjenjat i moshuari

Protestuesit përplasen me policinë, humb ndjenjat i…

Tensione dhe përplasje janë shënuar këtë të enjte përpara Kuvendit, ku protestuesit janë konfrontuar me forcat e Policisë.

Në mes të situatës së tensionuar, një qytetar i moshuar ka humbur ndjenjat, duke bërë që të kërkohej menjëherë ndihma e ambulancës. Ende nuk dihet gjendja e tij shëndetësore.

Ndërkohë, brenda Kuvendit vijon seanca plenare, ku debati politik është përqendruar te arrestimi i ish-drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni, dhe hetimet e SPAK ndaj saj.

Hyseni akuzohet nga Prokuroria e Posaçme për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”, në kuadër të hetimeve për biznesmenin Ergys Agasi, i cili u arrestua më 26 gusht.

Sipas SPAK, Hyseni dyshohet se ka komunikuar në mënyrë të vazhdueshme me Agasin dhe se përmes këtyre komunikimeve mund të jenë përcjellë informacione të klasifikuara. Në dosje përmenden telefonata, video-call, si dhe shkëmbim fotosh e videosh.

Gjatë marrjes në pyetje më 18 shtator, Hyseni ka pranuar komunikimet me Agasin, por ka mohuar se i ka dhënë atij informacione nga SHISH. Ajo ka deklaruar se Agasi i kishte ofruar bashkëpunim dhe ka mohuar edhe takimet fizike me të.

Në kuadër të hetimeve, SPAK ka sekuestruar disa diagrame të SHISH, të cilat janë gjetur më 20 korrik në një automjet të Agasit, në një resort në Tiranë. Origjina e këtyre materialeve është një prej pikave që po hetohen nga Prokuroria e Posaçme.

Dosja përmban edhe të dhëna për një komunikim intensiv mes Hysenit dhe Agasit. Sipas SPAK, vetëm në periudhën 28 qershor–26 gusht janë regjistruar 70 telefonata të bëra nga Hyseni drejt Agasit, 17 telefonata në drejtimin e kundërt, 28 thirrje të humbura dhe 25 raste kur Agasi nuk i është përgjigjur telefonatave.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit