Tensionet e protestës së sotme janë zhvendosur mbrëmjen e sotme para ambienteve të Komisariatit Nr. 1 në Tiranë, pasi qytetarë të shumtë janë grumbulluar aty në shenjë proteste kundër shoqërimit të disa aktivistëve.
Turma e revoltuar ka rrethuar godinën e komisariatit, duke lëshuar thirrje të njëpasnjëshme ndaj forcave të rendit. Të pajisur me pankarta dhe brohoritje, protestuesit kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të qytetarëve të ndaluar gjatë aksionit opozitar, ndërkohë që kanë drejtuar gishtin nga kreu i ekzekutivit përmes thirrjeve të përsëritura: “Arrestoni Edi Ramën, lironi qytetarët!”
Brenda ambienteve të Komisariatit Nr. 1 vazhdojnë të mbahen të shoqëruar disa nga pjesëmarrësit e tubimit, ndërsa jashtë rrethimit prania e forcave të policisë është shtuar ndjeshëm për të shmangur çdo mundësi përshkallëzimi të situatës.