
Proton-i akuzon Apple-in për abuzim me dominimin në treg, duke penguar konkurrencën dhe lirinë e zhvilluesve të aplikacioneve në mbarë botën.
Kompania e njohur për aplikacione me fokus në privatësinë digjitale, Proton, ka depozituar një padi kundër Apple në Gjykatën e Kalifornisë së Veriut, duke e akuzuar gjigantin amerikan për praktika monopoliste në tregun e shpërndarjes dhe pagesave të aplikacioneve në pajisjet iOS. Sipas Proton-it, Apple-i mban kontroll të plotë mbi tregun e aplikacioneve në smartfonë, duke imponuar tarifa “të padrejta dhe arbitrare”, të cilat i krahasojnë me “tarifa doganore për tregtinë dixhitale”.
Në këtë proces gjyqësor, Proton-i i bashkohet një grupi zhvilluesish, përfshirë kompani koreane, të cilët pretendojnë se dominimi i Apple ka penguar ndjeshëm konkurrencën e ndershme dhe inovacionin në sektorin e teknologjisë. Përmes padisë, Proton-i kërkon ndryshime strukturore në mënyrën se si funksionon App Store-i dhe dëmshpërblime financiare që do t’i dhurohen organizatave që mbrojnë demokracinë dhe të drejtat e njeriut.
Rasti i Proton-it vjen pas betejës së gjatë ligjore midis Epic Games-it dhe Apple-it, ku gjykata vendosi se Apple-i nuk është monopol, por urdhëroi që kompania të lejojë zhvilluesit amerikanë të ofrojnë alternativa pagesash jashtë App Store-it. Megjithatë, Apple-i ka apeluar këtë vendim dhe vazhdon të luftojë për ta bllokuar zbatimin e tij.
Proton-i thekson se praktikat e Apple-it e bëjnë të vështirë menaxhimin e pagesave dhe abonimeve nga platformat e jashtme. Sipas kompanisë, përdoruesit që blejnë shërbime nga faqet e internetit, nuk mund të menaxhojnë abonimet e tyre nga pajisjet iOS, duke krijuar një përvojë të dobët për klientët. Për më tepër, zhvilluesit nuk lejohen të komunikojnë lirshëm me përdoruesit brenda aplikacionit për të ofruar oferta alternative.
Një tjetër kritikë e fuqishme e Proton-it ka të bëjë me faktin që Apple-i nuk lejon që aplikacione si Proton Calendar të caktohen si aplikacione parësore, ndryshe nga shfletuesit ose aplikacionet e email-it. Po ashtu, Proton Drive nuk lejohet të punojë në sfond si iCloud, duke i vendosur aplikacionet e palëve të treta në një pozitë të pafavorshme.
Në fund, Proton-i hedh dritë mbi ndikimin global të politikave të Apple-it, duke theksuar se monopoli i App Store përdoret nga regjime autoritare për të censuruar fjalën e lirë. Shembull konkret është kërcënimi për heqjen e aplikacionit VPN të Proton-it, pasi u akuzua për “zgjidhje që shmangin censurën”. Kompania thekson se një sistem i centralizuar shpërndarjeje si App Store përbën rrezik për liritë themelore në nivel global.