Pse Ballkani ka mbetur i pazhvilluar në krahasim me pjesën tjetër të Evropës?

Pse Ballkani ka mbetur i pazhvilluar në…

Nga Branko Milanoviç

Ballkani është një nga rajonet më të çuditshme në Evropë. Niveli i tij i të ardhurave është shumë më i ulët, se sa niveli mesatar i të ardhurave të Evropës Perëndimore dhe Qendrore. Ky është një fakt i mirënjohur, por ia vlen të analizohet në një qasje tjetër.

PBB -ja mesatare për frymë në Evropën Perëndimore është rreth 40.000 dollarë. Të ardhurat e vendeve të Ballkanit shkojnë nga pak më shumë se 10.000 dollarë, në pak më shumë se 20.000 dollarë (pa përfshirë Greqinë).

Pra hendeku midis Evropës Perëndimore dhe Ballkanit është të paktën 2 me 1, dhe mesatarisht rreth 3 me 1. (Natyrisht, po të krahasojmë vendet më të pasura me ato më të varfra në këtë rajon, hendeku do të ishte shumë më i lartë).

Nëse shihni hartën e Evropës pa ditur shumë nga historia, duhet të habiteni nga hendeqe të tilla: distancat fizike janë të vogla; koha e udhëtimit me avion midis Vjenës dhe Beogradit është rreth 1 orë, por hendeku i të ardhurave midis dy qyteteve është ndoshta rreth 4 me 1.

Kjo është e barabartë me humbjen e 30 për qind të të ardhurave tuaja çdo 15 minuta. Por pse ndodh kështu? Unë do të bija dakord me shpjegimin standard historik, që sheh si ‘fajtor’ kryesor llojin e fuqisë koloniale që e ka dominuar rajonin.

Zonat e kontrolluara dikur nga osmanët për 3-4 shekuj kanë të ardhura më të ulëta, arritje më të ulëta arsimore, nivele më të ulëta të besimit tek institucione, sesa zonat që ishin pjesë e Perandorisë Habsburge.

Për më tepër, ky nuk është një fenomen i ri: hendeqet në variablat të tjera (si shkalla e shkrim-leximit) ishin edhe më të mëdha në të kaluarën, dhe veçanërisht kështu në fillimin e shekullit XIX, kur shumica e vendeve të Ballkanit (si dhe popujt e pakënaqur nën sundimin e Habsburgëve), nisën lëvizjet e tyre drejt pavarësisë.

Kjo është pjesa e parë e shpjegimit standard. Pjesa e dytë ka të bëjë me rritjen më të ngadaltë ekonomike për shkak të komunizmit. Kjo gjë mund të shihet ndoshta më së miri në hendekun e të ardhurave midis Greqisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit, një hendek që ishte më i vogël në vitet 1930, sesa në vitin 1989.

Për shembull, sipas të dhënave të Projektit Medison 2017, raporti i PBB-së për frymë midis Greqisë dhe Rumanisë ishte 1.4 vetëm para Luftës së Dytë Botërore. Por ai u rrit në 1.9 deri në vitin 1989. Mendoj se ky është një shpjegim standard, me një detaj të cilin unë e shoh mjaft të paqartë.

Në shumicën e studimeve dhe librave që merren me origjinën koloniale të institucioneve të sotme dhe nivelet e të ardhurave, nuk gati asnjë përmendje të ndikimit kolonial osman, gjë që natyrisht nuk vlen vetëm për Ballkanin, por edhe për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.

Por unë dua të jap një lloj shpjegimi se përse Ballkani nuk ishte më i zhvilluar, as edhe në kohën e Perandorisë Romake. Duke parë sërish hartën, kjo paraqet një enigmë edhe më të madhe. Ballkani gjendej midis dy pjesëve më të përparuara dhe më të zhvilluara të botës së asaj kohe: Greqisë/ Azisë së Vogël dhe Italisë (Romës).

Por pse zhvillimet në Ballkan ishin kaq të ngadalta? Nëse analizohen të dhënat për urbanizimin, Ballkani (përjashtuar Greqinë) nuk ishte shumë i urbanizuar. Shpërndarja e 10 qyteteve më të mëdha rreth vitit 150 ishte si më poshtë: 3 në Afrikën e Veriut (Kartagjena, Lepsis Manja dhe Ptolemais), 2 në Egjipt (Aleksandri, Memfis), 2 në Greqi (Athinë dhe Korint), 2 në Itali (Romë dhe Sirakuza), 1 në Levant (Antioki).

Më i vogli prej tyre vlerësohej se kishte 80.000 banorë. Qyteti më i madh ballkanik ishte Iader (Zadari i sotëm në Kroaci) me 30.000 banorë. Sa i përket të ardhurave, dallimet ishin gjithashtu të mëdha. Të dhënat e Medison tregojnë se Ballkani (sërish pa Greqinë) kishte pasur të ardhura për frymë pak më shumë se 400 dollarë, afërsisht në të njëjtin nivel me Galinë.

Por kjo është një surprizë, pasi Ballkani ndodhej midis 2 pjesëve më të pasura të botës Euro-Mesdhetare: Greqisë dhe Azisë së Vogël me më shumë se 500 dollarë për frymë, dhe Italisë me gati 700 dollarë për frymë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit