Pse Erjon Veliaj e ka të pamundur të fitojë Tiranën?

Pse Erjon Veliaj e ka të pamundur…

Erjon Veliaj e ka në limitet e të pamundurës të zgjidhet kryetar Bashkie në një garë të ndershme në Tiranë, përballë koalicionit opozitar. Në vitin 2015, ishin përcaktuese votat e LSI-PDIU asokohe në koalicion me PS që e shpallën fitues me një numër prej 160 mijë votash, kundrejt 116 mijë votash që mori asokohe Halim Kosova, gati 18 mijë vota më shumë se koalicioni që e mbështeste doktorin e njohur.

16 mijë vota ia hoqi dalja e Gjergj Bojaxhi, ish zyrtar i lartë i qeverisjes së PD dhe gati 2000 vota dalja me vete e Arben Tafaj, ish-kryetar i Njësisë 8. Tek Erjon Veliaj ndodhi e kundërta, ai mori 36 mijë vota më pak se koalicioni që e mbështeste. E majta e bashkuar asokohe shkoi rreth 196 mijë, ndërsa Veliaj 160 mijë. Në totalin e aleancës së majtë LSI-PDIU- PDK kanë kontribuar në Tiranë me më shumë se 67.600 vota.

****
Llogaritë nuk dalin as në vitin 2019, ku Veliaj hyri i vetëm në zgjedhje. Ai pretendon se ka ruajtur pak a shumë rezultatin me 153 mijë vota, megjithëse nga 425 mijë votues që morën pjesë në zgjedhjet e 2017, në 2019 në Tiranë dolën vetëm 174 mijë, nga të cilët 9 mijë vota i mori garuesi i Bindjes Demokratike Arben Skenderi, dhe 12 mijë të tjera dolën se ishin nxjerrë të pavlefshme qëllimisht.

Individë të ndryshëm në gati 7 përqind të numrit total të pjesëmarrësve, kishin shprehur hapur revoltën ndaj Erjon Velisë. Një rast unikal ky, jo vetëm për zgjedhjet në vendin tonë por edhe në botë. Kjo do mjaftonte që çdo njeri me integritet të mos e pranonte mandatin për kryetar Bashkie, jo për mënyrën se si u organizuan dhe zhvilluan zgjedhjet e 2019, por sepse shtatë përqind e qytetit nuk shprehin vetëm pakënaqësi ndaj favoritit kryesor, por revoltë.

****
Por duket se LSI dhe PDIU e ruajnë numrin e votuesve të tyre në çdo zgjedhje, madje kanë dhe progresion rritës. Në vitin 2007, ishte LSI që i dha mandatin e kryetarit të Bashkisë, Edi Ramës në kryeqytet, duke kontribuar me rreth 18 mijë vota. Diferenca në atë kohë e Ramës me kandidatin e PD, Olldashi, ishte rreth 19 mijë vota. Këtë rezultat LSI e ruan dhe në vitin 2009, kur prishi aleancën me Partinë Socialiste dhe hyri e vetme në zgjedhje të përgjithshme, duke marrë një mandat deputeti në kryeqytet. Në vitin 2011, pas dy vitesh pushtet me të djathtët, rezulton një rritje prej më shumë se 35 mijë votash.

Me LSi në krah Lulzim Basha rezultoi fitues i Bashkisë së Tiranës, përballë Ramës që konsiderohej favorit. Në zgjedhjet e vitit 2013 në Tiranë hyn fort në lojë dhe PDIU që merr asokohe rreth 10 mijë vota.

LSI në këtë kohë kalon majtas, dhe në thesin e votave të Tiranës, kontribuon me rreth 35 mijë vota, numër thuajse i njëjtë me ate të vitit 2011. Në vitin 2015, pas ndryshimit të hartës elektorale, ku në bashkinë e Tiranës u futën dhe shumë njësi e komuna dhe pas dy vjetësh në pushtet me të majtën, numri i votave të LSI në Tiranë shkon 54 mijë, ndërsa PDIU regjistron mbi 12 mijë vota. E njëjta shifër diçka më shumë apo më pak rezulton të jetë marrë në Tiranë dhe në zgjedhjet e 2017, ku të dyja këto forca politike dolën më vete. 55 894 vota LSI dhe 12 434 vota PDIU.

****
Pra pavarësisht piruetave që bën kryetari Bashkisë për të treguar se ka mbështetje popullore, pavarësisht propagandës, llogaria e numrave është e thjeshtë. Në rast se nuk do ishin bërë manovrat politike të koalicioneve, ai do humbiste në vitin 2015, do humbiste dhe vjet./Mapo.al/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit