Pse filozofia po “hakmerret” ndaj inteligjencës artificiale?

Pse filozofia po “hakmerret” ndaj inteligjencës artificiale?

Një artikull i fundit i The Economist, si edhe një analizë në The New York Times, ngrejnë një pyetje domethënëse, pse kompanitë më të mëdha të inteligjencës artificiale po rekrutojnë gjithnjë e më shumë filozofë? Sipas këtyre publikimeve, përgjigjja qëndron në vetë natyrën e teknologjisë: ajo prodhon një sërë problemesh të ndërlikuara  pikërisht llojin e problemeve që filozofia është e trajnuar të shqyrtojë.

Ky zhvillim shihet si një kthesë ironike në historinë e mendimit modern. Që nga shekulli XIX, filozofia është shoqëruar vazhdimisht me parashikime për “fundin” e saj. Marksistët mendonin se do të zëvendësohej nga materializmi historik, pozitivistët nga shkencat e natyrës, ndërsa rrymat poststrukturaliste dhe postmoderniste e panë si një formë të tejkaluar të metafizikës perëndimore. Edhe Martin Heidegger paralajmëroi një zëvendësim të filozofisë nga kibernetika, ndërsa më vonë Stephen Hawking deklaroi se ajo kishte humbur funksionin e saj përballë shkencave ekzakte.

Megjithatë, siç vë në dukje edhe The New York Times, zhvillimi i inteligjencës artificiale ka rikthyer në qendër pyetje thelbësore filozofike që nuk zgjidhen vetëm me algoritme: çfarë është e vërteta dhe njohja, si duhet të arsyetojë një sistem inteligjent, çfarë është ndërgjegjja dhe kuptimi, dhe si duhet të merren vendimet në sisteme që ndikojnë jetën njerëzore. Për eticistët dhe filozofët e mendjes, AI është bërë një terren veçanërisht i pasur studimi.

Pikërisht për këtë arsye, laboratorët më të mëdhenj të inteligjencës artificiale po punësojnë filozofë për të ndihmuar në adresimin e çështjeve të etikës, logjikës dhe ndërgjegjes së makinave. Në këtë kuptim, revolucioni i inteligjencës artificiale nuk po e shuan filozofinë, por po e rikthen atë në qendër të debatit intelektual dhe teknologjik.

Pas dekadash parashikimesh për “vdekjen” e saj, filozofia duket se po gjen një rol të ri pikërisht aty ku pak kush e priste, në zemër të revolucionit më të madh teknologjik të kohës sonë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit