Skenat e dhunshme dhe bastisja e degës së IuteCredit gjatë protestës së sotme në Tiranë, ku mobiliet u hodhën nga dritaret e katit të dytë dhe bankomatët u goditën me gurë, nuk janë gjë tjetër veçse shpërthimi i një revolte të akumuluar prej vitesh nga qytetarët e varfëruar. Por kjo ngjarje ngre një pyetje thelbësore: Pse një institucion i tillë u dëbua nga Kosova si “kërcënim për sigurinë kombëtare”, ndërsa në Shqipëri vazhdon të operojë pa asnjë pengesë?
Kosova tregoi shtet: BQK dhe Qeveria Kurti mbyllën çerdhen e “fajdeve”
Në vitin 2019, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) mori një vendim drastik e të guximshëm: revokimin e menjëhershëm të licencës për IuteCredit.
Arsyetimi i autoriteteve në Prishtinë ishte i prerë:
-
Kamata marramendëse e gjakpirëse: IuteCredit kishte devijuar tërësisht nga plani i biznesit, duke aplikuar norma interesi super të larta që kapnin shifrat e dhjetëra e qindra përqindësh përmes komisioneve të fshehta, duke shfrytëzuar nevojën e shtresave më të pambrojtura.
-
Cenim i sigurisë kombëtare: Institucionet e Kosovës e vlerësuan praninë e skemave të tilla si një rrezik real socio-ekonomik që varfëronte dhe skllavëronte qytetarët.
Kur kompania paditi shtetin e Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit duke kërkuar dhjetëra milionë euro dëmshpërblim, qeveria e Albin Kurtit dhe BQK e mbrojtën vendimin me fanatizëm dhe Kosova e fitoi përfundimisht gjyqin në Arbitrazh, duke i provuar botës se mbrojtja e qytetarëve nga abuzimi financiar është detyrë e shtetit.
Banka së Shqipërisë: Heshtje, tolerim dhe skandale
Krejt e kundërta ka ndodhur në Tiranë. Përderisa Kosova u vu në mbrojtje të xhepave të qytetarëve, në Shqipëri IuteCredit ka zgjeruar aktivitetin pa u shqetësuar nga askush.
Banka e Shqipërisë dhe organet e drejtësisë kanë mbyllur sytë përballë:
-
Normave të papërballueshme të interesit që kanë futur mijëra familje shqiptare në borxhe pa rrugëdalje.
-
Denoncimeve të shumta për falsifikim kontratash, ngarkim borxhesh pa dije të qytetarëve dhe bashkëpunim me skemat e mbledhjes me dhunë të borxheve si skandali i mikrokredive/MCA.
-
Sekuestrimit të pagave, pensioneve dhe pronave të qytetarëve për shuma minimale fillestare.
Kur institucionet dështojnë, vendin e merr vetëgjyqësia
Ngjarjet e sotme tregojnë qartë diferencën mes një shteti që vepron me ligj dhe një shteti që kapet nga interesat financiare.
Në Kosovë, institucionet vepruan me laps e me ligj për të mbrojtur popullin. Në Shqipëri, meqenëse Banka e Shqipërisë dhe institucionet rregullatore dështuan të bëjnë detyrën e tyre, qytetarët e revoltuar zgjodhën ta zgjidhin me gurë, shkatërrim e nxjerrje mobiliesh në rrugë. Skenat e sotme në Tiranë janë treguesi më i hidhur se ku përfundon një shoqëri kur shteti braktis qytetarin dhe mbron abuzuesin.