Pse po largohen?! Konsumojnë më pak, kanë pagat më të ulëta... shqiptarët më të mjerët e Europës

Pse po largohen?! Konsumojnë më pak, kanë…

Shqiptarët kanë të gjithë të drejtën që të braktisin këtë vend pasi ekzistenca dhe jetesa më minimale e tyre është e pasigurt në Atdheun e tyre. Këtë nuk e themi ne, por shifrat më të fundit statistikore që presitigjiozi i statistikave europiane, “EUROSTAT” ka përditësuar në raportin më të fundit.

Edhe këtë herë në renditje, Shqipëria del shteti më “katastrofë”, pasi vijon të mbetet vendi më i varfër i Europës, me të ardhurat dhe konsumin më të ulët për frymë.

Revista profesionale “Monitor” në një material të publikuar sot për këtë çeshtje, ka saktësuar se, Eurostat për vitin 2019, shqiptarët kishin të ardhura për frymë sa 31% e mesatares europiane, më e ulëta në Europë (të dhënat për Kosovën nuk përfshihen).

“Monitor” thekson në interpretimin e të dhënave të “Eurostat” se: “Shqipëria është tashmë më e varfër edhe se Bosnjë Hercegovina, e cila ka mesatare 32% të BE-së në vitin 2019, ndërsa një vit më parë kishte të njëjtin nivel si Shqipëria. Maqedonia e Veriut e kishte këtë tregues në 38%, Serbia 41% dhe më i ‘pasuri’ në rajon është Mali i Zi, me 50% të mesatares së BE-së”.

Treguesi tjetër, ai i konsumit individual për frymë, që mat mirëqenien materiale të familjarëve, Shqipëria sërish mbetet e fundit, në 40% të mesatares së BE-së, nga 39% një vit më parë.

Për Bosnjën, ky tregues është 42%, për Maqedoninë 43%, për Serbinë 49% dhe sërish më i larti Mali i Zi, me 60% të mesatares europiane.

Në BE, më e varfra, Bullgaria

Sipas “Eurostat”, në Europë në vitin 2019, të ardhurat për frymë u luhatën midis 53% të mesatares Europiane në Bullgari dhe 261% në Luksemburg. 10 shtete anëtare kishin të ardhura për frymë mbi mesataren e BE-së.

Në treguesin e konsumit individual për frymë (AIC) nëntë Shtete Anëtare regjistruan AIC për frymë mbi mesataren e BE-së në vitin 2019. Niveli më i lartë në BE u regjistrua në Luksemburg, 35% mbi mesataren e BE-së.

Gjermania, shumë e synuar nga shqiptarët, ishte rreth 23% më lart, e ndjekur nga Austria, Danimarka, Belgjika, Holanda, Finlanda, Suedia dhe Franca, të cilat regjistruan të gjitha nivelet midis 5% dhe 20% mbi mesataren e BE-së.

AIC për frymë për dymbëdhjetë shtete anëtare rezulton midis mesatares së BE-së deri në 25% më pak. Në Itali, Irlandë, Qipro, Spanjë dhe Lituani nivelet ishin 10% ose më pak nën mesataren e BE-së, ndërsa Portugalia, Çekia, Sllovenia dhe Malta ishin midis 10% dhe 20% më pak. Polonia, Rumania dhe Greqia ishin midis 20% dhe 25% nën mesataren e BE.

Gjashtë shtete anëtare regjistruan AIC për frymë, me mbi 25% nën mesataren e BE-së. Estonia ishte 25% më poshtë, Sllovakia, Letonia, Hungaria dhe Kroacia midis 25% dhe 35% më poshtë, ndërsa Bullgaria kishte AIC për frymë 41% nën mesataren e BE-së./Burimi: Monitor.al/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit