Pse qentë i kthejnë shpinën pronarit kur qëndrojnë pranë tij?

Pse qentë i kthejnë shpinën pronarit kur…

Kur një qen i kthen shpinën pronarit të vet, shpesh është një gjest besimi, sigurie dhe afërsie emocionale

Shumë pronarë qensh mund të keqkuptojnë gjestin kur kafsha e tyre e dashur u kthen shpinën, por sipas veterinereve, kjo nuk është një shenjë mungese respekti apo rebelimi. Përkundrazi, bëhet fjalë për një sjellje instinktive që shpesh shpreh besim të thellë ndaj njeriut të zemrës së tij.

Veterinerja Katherine Anderson sqaroi se qentë, si njerëzit, kanë sjellje dhe mënyra reagimi të ndryshme. Çdo qen është një individ më vete, por ka disa modele të sjelljes që përsëriten. Sipas saj, kthimi i shpinës nuk është veprim negativ, por përkundrazi, një shenjë që qeni ndihet i mbrojtur.

Shumë qen zgjedhin të kthejnë shpinën ndaj pronarit për të ruajtur një pasqyrë më të qartë të ambientit përreth. Meqë ndihen të sigurt afër njeriut të tyre, ata ndihen të lirë të përqendrohen në hapësirën përreth, pa pasur nevojë të qëndrojnë në pozicion mbrojtës.

Në rrjetet sociale, sidomos në TikTok, kjo sjellje është kthyer në një temë diskutimi. Komentet e përdoruesve janë të shumta dhe shpesh emocionale. Disa shkruajnë se qeni e kthen shpinën për të treguar besim dhe për t’i mbrojtur, të tjerë thonë se kjo sjellje është mënyra e qenit për të thënë “jemi bashkë, ti je i imi”.

Anderson shton se nuk duhet të shqetësohemi nëse qeni nuk shfaq këtë sjellje. Çdo qen ka mënyrën e vet për të treguar dashuri dhe lidhje emocionale. Disa e bëjnë përmes kontaktit me sy, të tjerë shtrihen pranë pronarit, ose kërkojnë të prekin me putrat apo surratin e tyre.

E rëndësishme është që qeni kërkon afërsinë tuaj dhe e shpreh këtë në mënyrën e tij. Ajo që ka më shumë rëndësi është sinjali i qëndrueshëm i përkushtimit që ai jep, në çfarëdo pozicioni të ndodhet.

“Qentë janë qenie shoqërore që kërkojnë afërsi dhe lidhje të fortë me njerëzit e tyre,” thekson Anderson, duke nënvizuar rolin e pronarit si një figurë e rëndësishme sigurie dhe stabiliteti për kafshën.

Nëse qeni juaj zgjedh të ulet pranë jush dhe t’ju kthejë shpinën, mos u ndjeni të anashkaluar. Ai në fakt po ju thotë: “Ndjehem i sigurt, je shtëpia ime.”

Ky gjest i heshtur është dëshmi e një lidhjeje të fortë emocionale. Në botën e qenve, kjo është një nga mënyrat më të qarta për të shprehur besim të plotë.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit