Si i bleu kamarieri Andi Ballta dy banka 140 milionë euro përmes një kompanie fiktive në offshore? Janë para droge apo korrupsioni? Fakte që sfidojnë SPAK-un
Si shtiu në dorë Andi Ballta i ABI Bank mijëra m2 tokë të resortit që do ngrihet në Zvërnec?!
ABI Bank rezulton se kontrollon përmes fondeve të investimit dhe shoqërive komandite sipërfaqe të konsiderueshme toke në jug të vendit, kryesisht në zonat e Poros dhe Zvërnecit në Vlorë. Dokumentet tregojnë se këto prona nuk janë blerë drejtpërdrejt nga bankat për investim, por janë pasuri të riposeduara pas mosshlyerjes së kredive nga debitorët. Kjo do të thotë se tokat kanë kaluar fillimisht si kolateral për kredi bankare, më pas janë sekuestruar nga bankat dhe në fund janë transferuar në struktura investimi të krijuara prej tyre.
Një nga rastet lidhet me krijimin, në qershor 2025, të shoqërisë komandite Bay View Alternative Investment Fund. Sipas dokumenteve, ABI Bank me CEO Andi Ballta zotëron 97.03% të investimit në këtë fond. Kapitali i deklaruar arrin në rreth 1.033 miliardë lekë, ose mbi 10.5 milionë euro. Ky kapital përbëhet nga 10 milionë lekë në para dhe dy prona të kategorive pyll dhe livadh me sipërfaqe totale 321 mijë metra katrorë, ose 32.1 hektarë, në zonën e Poros. Tokat janë vlerësuar me 32.28 euro për metër katror, duke arritur një vlerë totale prej rreth 10.4 milionë eurosh.
Nga SHBA te ‘Lavatriçja’ e Bankave: Ngritja e Dyshimtë e Andi Balltës
Andi Ballta emigroi në SHBA falë lotarisë amerikane, ku ka punuar herë si kamarier dhe herë si banakier, derisa disa ‘ustallarë’ nga Tirana i ngarkuan mbi kurriz dy banka me vlerë 143 milionë euro.
Abi Bank është 100% në pronësi të kompanisë “Tranzit”, me bazë në offshore (Ishujt Kajman), e cila e bleu bankën më 12 tetor 2015 për rreth 70 milionë euro me fonde që nuk u dihet burimi.
Kur “Tranzit” bleu Abi Bank, Andi Ballta kishte 20% të aksioneve, të blera për 350 mijë USD, një shifër pa burim të qartë financiar, ndërsa deri në shkurt 2021 i zgjeroi ato deri në 80%.
Marrëveshja me Vetveten: Skema Offshore e Kompanisë “Moscopole”
Në 3 shkurt 2021, 50% e aksioneve të “Tranzit” u shitën tek kompania “Moscopole”, e regjistruar në Delaware (parajsë fiskale), e cila rezulton kompani fiktive pa bilance dhe pa veprimtari. Pronari i vetëm i “Moscopole” është pikërisht Andi Ballta, çka do të thotë se marrëveshja e shitjes u firmos midis Andi Balltës dhe Andi Balltës.
Ballta i shiti vetes edhe 30% të aksioneve të tjera që zotëronte te “Tranzit” (kundrejt rreth 500 mijë eurove), duke i shitur totalisht vetes 80% të aksioneve me qëllim krijimin e terrenit për pastrim parash përmes parajsave fiskale.
Aktualisht, “Moscopole” zotëron 80% të “Tranzit”, ndërsa 10% i zotërojnë kompanitë offshore “NCH Balkan Fund” dhe “New Century Holdings” (Ishujt Kajman), të kontrolluara nga “NCH Capital”.
Blerja e Dy Bankave dhe Kompanive Satelite
Pa bazë financiare dhe historik biznesi, Andi Ballta bleu 80% të aksioneve të “Tranzit” për 141.833.257 lekë, kompani e cila zotëron ABI Bank me kapital 30.4 miliardë lekë. Brenda Abi Bank (me vlerë mbi 70 milionë euro) është shkrirë edhe “NGB Bank”, e blerë për rreth 67 milionë euro, duke e çuar vlerën e dy bankave në mbi 140 milionë euro.
Abi Bank ka në pronësi katër kompani të tjera: ABI Broker Sigurimesh, ABI Invest, Bursa Shqiptare e Titujve (ALSE) dhe Regjistri Shqiptar i Titujve (ALREG), të përfshira në dyshime për qarkullim parash të pista dhe rritje fiktive kapitali.
Prapaskenat e Tranzit dhe Lidhjet me Rasan/Offshore
Kompania “Tranzit” u themelua në mars 2009 nga “NCH Balkan Fund” dhe “New Century Holdings” (të përfaqësuara nga E. P. dhe G. K. dhe nënnaxhimi i “NCH Capital”), të cilat hiqen si amerikane por lidhen me pastrim parash dhe interese ruse. Në korrik 2019, Ballta caktoi si administratore të “Tranzit” shtetasen Kristina Naumi, e cila më parë kishte punuar si parukere.
Abi Bank u krijua fillimisht në 1999 si Banka Ndërkombëtare Tregtare e Detit të Zi, u mor në 2012 nga francezët e “Crédit Agricole”, ndërsa në tetor 2015 u ble nga “Tranzit” nën drejtimin e Andi Balltës dhe partneres së tij Brikena Hoxha.
Skema “Tranzit” ka gllabëruar prona të qytetarëve shqiptarë të vendosura si kolaterale përmes bashkëpunimit me agjenci si SGA dhe AMCO të Italisë, duke çuar milionat në ishuj ekzotikë, ndërsa pas këtij rrjeti dyshohet se fshihen interesa të përbashkëta të politikanëve, deputetëve dhe biznesmenëve.