Punën 'shkel e shko' të Bashkisë Durrës, po e vuajnë banorët: Pallati pikon nga lagështira

Punën ‘shkel e shko’ të Bashkisë Durrës,…

Banorët e lagjes 18 në Durrës janë shprehur të shqetësuar për disa probleme serioze që kanë lindur pas punimeve të termoizolimit të jashtëm të pallateve të tyre. Punime, të cila u kryen nga Bashkia e Durrësit

 

Sipas tyre, punimet kanë qenë të paorganizuara dhe të pakontrolluara, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në infrastrukturën e lagjes dhe kushte të vështira jetese.

 

Një nga shqetësimet kryesore është lënia e kabujve elektrikë nëpër dritare dhe grumbullimi i mbeturinave në lagje.

 

Por problemi më i madh, sipas banorëve, është lidhur me depozitat e ujit të vendosura mbi pallatet. Gjatë punimeve, depozitat janë mbledhur shumë afër njëra-tjetrës, duke i dëmtuar ato, dhe janë lënë në një gjendje të tillë që ato vazhdojnë të lëshojnë ujë, duke shkaktuar lagështirë të madhe në ndërtesë.

Ky problem është bërë i padurueshëm për banorët, pasi nga kati i pestë deri në katin e parë, të gjitha apartamentet janë mbushur me lagështi.

 

“Depozitat e ujit që ndodhen lart janë të dëmtuara dhe vazhdojnë të lëshojnë ujë pa pushim, duke shkaktuar lagështi të papërballueshme në shtëpitë tona. Kjo ka ndodhur për muaj me radhë dhe deri tani nuk ka pasur asnjë reagim nga autoritetet kompetente,” thonë ata.

 

Banorët e lagjes kanë bërë disa kërkesa në Bashkinë e Durrësit për të zgjidhur këtë problem dhe për të vënë në funksion depozitat kryesore të ujit që ndodhen poshtë pallateve, por deri tani nuk ka pasur asnjë veprim konkret. Ata kërkojnë një ndërhyrje urgjente për të hequr depozitat e dëmtuara dhe për të bërë funksionale ato kryesore, për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të lagështirës në apartamentet e tyre.

 

“Nuk dimë ku të drejtohemi më tej. Kërkojmë një zgjidhje të menjëhershme për këtë situatë që po na përkeqësohet dita-ditës,” përfundojnë ata.

 

Denoncimi i plotë:

 

Doja te beja nje ankes. Ndodhemi tek lagja 18 ne Durrës. Para pak kohesh te gjitha pallatet këtu bashkia i veshi me termoizolim te jashtem. Punimet ishin skandaloze, duke len shume kabuj elektrik neper dritare, dhe shume mbeturina ne lagje.

 

Gjithashtu nje problem shum i madhe eshte bere dhe me depozitat e ujit qe ndodhej siper pallateve. Gjate punimeve i kan mbledhur te gjitha prane njera tjetres , duke i demtuar dhe i kan len aty ne ate gjendje , nderkoh posht pallateve jan vendosur depozitat kryesore por nuk i kan vën në punë. Depozitat siper jan demtuar dhe leshojn uje gjith kohes tek pallati , duke ber qe pallati te jet i gjithi me lageshtir , dhe shtepia nga kati i 5 deri tek kati i pare jan ber gjithe lageshtir.

 

E vetmja zgjidhje eshte qe te hiqet depozitat siper dhe te behen funksional depozitat kryesore , gje te cilen e kan shtyr prej shume kohesh. Kemi ber dhe kerkes ne bashki por askush nuk ka ardh per ti dhen zgjidhje. Te lutem duam nje zgjidhje sepse te gjitha shtepia jan mbushur me lageshtir.

 

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit