Punimet për aeroportin e Vlorës u premtuan për në qershor të vitit 2018 nga Rama dhe i njëjti premtim u dha sot nga Ministrja Balluku

Punimet për aeroportin e Vlorës u premtuan…

Punimet për aeroportin e Vlorës u premtuan për në qershor të vitit 2018 nga Kryeministri Rama dhe i njëjti premtim u dha sot, më 8 maj të 2020 nga Ministrja Belinda Balluku për të njëjtin aeroport për këtë verë.

Belinda Balluku, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaroi sot gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e aeroportit në Kukës, e shoqëruar nga Kryeministri Rama dhe Kryebashkiaku Safet Gjici, se brenda kësaj vere do të rinisë edhe gara për Aeroportin e Vlorës.

Duke u përgjigjur pyetjes të bërë nga Rama gjatë inspektimit në Kukës, ministrja Balluku u shpreh se për Vlorën do rifillojmë shumë shpejt punimet dhe theksoi se ka një interes të jashtëzakonshëm nga të gjitha kompanitë e mëdha. Ajo tha se me mbylljen e kontratës, do të nisin punimet këtë verë, pra brenda vitit 2020.

“Unë kam pasur kontakte me të gjitha kompanitë që deri në momentin e fundit kanë qenë të interesuara, deri para atij 12-ditëshit që u bllokua dhe pezullua gara. Të gjithë vazhdojnë të jenë të interesuar. Është moment i vështirë pa dyshim për kompanitë të cilat menaxhojnë aeroporte në këto momente, pasi u duhet që të përqendrojnë të gjithë financat e tyre te kostot operacionale, megjithatë Aeroporti i Vlorës ka një interes të jashtëzakonshëm nga të gjitha këto kompani të mëdha”, u shpreh Balluku.

Por duhet të kujtojmë që punimet për aeroportin e Vlorës, për të cilin ministrja Belinda Balluku ka komentuar sot, është dhënë i njëjti premtim se do të nisnin që në qershor të vitit 2018.

Ky premtim u dha nga Kryeministri Edi Rama në janar të po të njejtit vit. Në muajin janar të 2018-ës, Rama shkroi në rrjetin e tij social në Facebook se në qershor të po atij viti, do të niste ndërtimi i aeroportit.

Ndërkohë në muajin korrik kryeministri Rama bëri një tjetër premtim ku tha se do të punësohen 1 mijë vetë, e sipas tij, mijëra të punësuar në mënyra indirekte.

“27 mijë vende pune drejtpërdrejt është minimumi për 4-5 vitet e ardhshme. Aeroporti do të jetë me paga goxha të larta në raport me mesataren që ne jemi mësuar” – tha Rama në vitin 2018.

Ai tha se ky aeroport do të ketë tarifat më të ulëta në rajon dhe në prezantimin e projekteve të reja për qarkun e Vlorës, deklaroi se sipas tij, aeroporti i Vlorës do të jetë ndërkombëtar dhe konkurues i drejtpërdrejtë me atë të Rinasit.

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës ishte një nga premtimet e kryeministrit Edi Rama gjatë fushatës elektorale të 25 qershorit i cili u rizgjodh deputet në këtë qark.

Por, pavarësisht premtimeve të shumta gjatë vitit 2018, ato nuk u mbajtën dhe asnjë punim nuk nisi deri sot. /Shekulli

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit