Punimet prej 3 muajsh te “Pjetër Budi”, banorët: Ku janë trotuaret e projektit?

Punimet prej 3 muajsh te “Pjetër Budi”,…

Një banore, e cila ka kërkuar të mbetet anonime, ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si po zhvillohen prej më shumë se tre muajsh punimet në rrugën “Pjetër Budi”, në vijim të Qytetit Studenti.

Sipas saj, ndërhyrjet kanë nisur me punime për kanalizimet dhe shtrimin e kabujve, çka ka sjellë gërmime të përsëritura në rrugë dhe vështirësi të vazhdueshme për banorët. Aktualisht, sipas denoncimit, lëvizja në këmbë është e vështirë për shkak të pluhurit, ndërsa edhe qarkullimi i automjeteve paraqet problem.

Por shqetësimi kryesor lidhet me mënyrën se si po zbatohet projekti i rikonstruksionit të aksit rrugor.

Banorja thotë se projekti parashikon sistemimin e rrugës dhe krijimin e trotuareve, ndërsa në fazat e para të punimeve ishin shënuar me të kuqe disa objekte, mure dhe avlli që, sipas saj, do të duhej të spostoheshin për të liruar hapësirat e nevojshme.

“Fillimisht u markuan vendet që do të spostoheshin me të kuqe”, shprehet banorja, duke iu referuar edhe materialeve fotografike të dërguara për denoncimin.

Megjithatë, sipas saj, deri më tani nuk është ndërmarrë asnjë ndërhyrje konkrete për spostimin e këtyre objekteve apo lirimin e hapësirave të parashikuara në projekt.

Ndërkohë, banorja ngre pikëpyetje edhe për vendosjen e bordurave, duke pretenduar se ato po vendosen pa u krijuar më parë hapësirat e nevojshme për trotuaret.

Sipas denoncimit, një pjesë e konsiderueshme e rrugës po shtrohet në kushte të ngjashme me gjendjen e mëparshme, ndërsa banorët shqetësohen se nëse hapësirat nuk lirohen, mund të mos realizohet gjerësia e rrugës dhe trotuaret e parashikuara në projekt.

“Me ndërhyrje të disa personave nuk po ndërmerret asnjë hap për spostimin dhe lirimin e ambienteve për të realizuar, sipas planit, rikonstruksionin e rrugës”, pretendon banorja.

Ajo kërkon që institucionet përgjegjëse të bëjnë transparente mënyrën e zbatimit të projektit dhe të sqarojnë nëse punimet po kryhen në përputhje me projektin e miratuar dhe standardet përkatëse.

Për banorët, krijimi i trotuareve të aksesueshme shihet si një nevojë thelbësore, veçanërisht për lëvizjen e këmbësorëve në mënyrë të sigurt.

Qytetarja ka kërkuar që shqetësimi të publikohet pa identifikuar autorin. Ajo sugjeron gjithashtu që situata të verifikohet në terren nga gazetarët dhe, nëse është e nevojshme, të merret edhe një vlerësim nga një ekspert i fushës për të interpretuar projektin dhe për të përcaktuar nëse punimet po zbatohen sipas specifikimeve teknike.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit