Punonjësit e UKT kalonin çdo muaj rroga të dublikuara, vjedhja arrin në masën e 21 milionë lekëve

Punonjësit e UKT kalonin çdo muaj rroga…

Vjedhja që u bëhet qytetarëve nga ana e pushtetit vendor dhe qëndror është denoncuar nga media dhe opozita, ndërsa disa nga skandalet janë nën hetim nga drejtësia. Ndërkohë që këtë të mërkurë, një tjetër skandal është bërë publik, ku Prokuroria Tiranë ka kërkuar arrest në burg për dy punonjës të Ujësjellës-Kanalizime Tiranë, detyrim paraqitje për dy të tjerë, nën akuzën e “Vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”.


Mësohet se nga një hetim i prokurorisë së Tiranës dhe Krimit Ekonomiko Financiar, punonjës të UKT përmes pagave kanë arritur të vjedhin 21 milionë lekë.
Konkretisht bëhet fjalë për Sigi Zhulekun dhe Erblin Lushajn për të cilët është caktuar në mungesa “arresti me burg” si dhe Rudina Lalajn dhe Azem Xhaferrin për të cilët është vendosur masa detyrim paraqitje. Të katërt këta persona, nga muaji Prill 2018- Korrik 2023, kanë kaluar në llogaritë e tyre rroga të dublikuara çdo muaj.


Ujësjellësi i Tiranës është përmendur shumë shpesh për problematika të ndryshme. Në vitin 2022, u bë publik lajmi se në zyrat qendrore të UKT-së ra një zjarr i papritur në një kohë kur KLSH po kryente auditim, duke u djegur një sërë dokumentesh. Ngjarja në atë kohë nuk u bë publike, edhe pse dyshimet e forta ishin që ishte zjarr i qëllimshëm me pasoja të konsiderueshme materiale. Edhe pse ngjarja u shënua në një institucion shtetëror, në varësi të Bashkisë së Tiranës, nga kjo e fundit nuk pati asnjë lloj reagimi, për të shpjeguar rrethanat e ngjarjes apo për ta mohuar.


E mesa duket, korrupsioni i lartë në këtë institucion sjell problematikat e mëdha që rëndojnë në xhepat e qytetarëve. Taksat vendore janë rritur ndjeshëm kohët e fundit, ndërsa uji vijon të vijë i me orar dhe me pikatore në çezmat e qytetarëve. Ujë 24 orë, pritet të jetë premtimi i radhës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke u vijuar kjo retorikë edhe pas 4 vitesh, kur do të mbahen zgjedhjet vendore.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit