Një udhëtim që duhej të ishte ndër më të bukurit e jetës së tyre, u kthye në një tragjedi për Kristian Gjonin dhe bashkëshorten e tij, Adriana. Çifti nga Toronto kishte ardhur në Shqipëri gjatë verës për të ndarë me familjarët lajmin se prisnin fëmijën e tyre të parë. Por, menjëherë pas mbërritjes në Tiranë, gjithçka mori një drejtim dramatik.
Gjatë kontrollit në aeroport, autoritetet doganore e ndaluan Kristianin për shkak të një problemi me etiketat e bagazheve. Ai u dërgua pranë rripit të valixheve dhe iu kërkua të identifikonte një çantë që, sipas tij, nuk i përkiste. Kur ajo u hap, brenda u gjetën 23.15 kilogramë kanabis, me vlerë rreth 400 mijë dollarë kanadezë.
Kristiani pretendon se ka rënë viktimë e një skeme të dyshuar kriminale, ku etiketat e bagazheve të pasagjerëve të pafajshëm ndërrohen me ato të valixheve që transportojnë drogë. Ai thotë se kishte fotografuar bagazhet e tij para nisjes, duke ndjekur këshillat e autoriteteve kanadeze, por kjo nuk e pengoi arrestimin.
Biznesmeni kaloi katër ditë në izolim, në një qeli pa dritare, ndërsa bashkëshortja e tij, Adriana, përjetoi një tjetër dramë. Shtatzënia e saj u komplikua rëndë dhe ajo humbi fëmijën. Dokumentet mjekësore të shqyrtuara nga emisioni investigativ W5 konfirmojnë se Adriana ishte shtatzënë dhe më pas pësoi abort spontan.
Rasti nuk ishte i vetmi. Edhe një tjetër pasagjere kanadeze nga i njëjti fluturim u ndalua, pasi etiketa e bagazhit të saj u gjet në një valixhe që përmbante rreth 23 kilogramë kanabis. Ajo u lirua pa akuza.
Zhvillimi i ri që mund të ndryshojë çështjen
Një element i rëndësishëm në mbrojtjen e Kristianit vjen nga Policia Mbretërore Kanadeze (RCMP). Në një email të muajit tetor, autoritetet konfirmuan se çifti kishte dorëzuar për check-in vetëm katër valixhet që kishte marrë dhe se Kristiani mund të ketë qenë viktimë e ndërrimit të etiketave të bagazheve.
Pas lirimit me kusht, ai është kthyer në Toronto, por duhet të udhëtojë periodikisht drejt Shqipërisë për t’u paraqitur pranë policisë, ndërsa vijon përballjen me drejtësinë.
Avokati i tij, Ndue Pjetra, pritet të përdorë edhe investigimin e W5 mbi skemat e dyshuara të manipulimit të bagazheve dhe korrupsionin në aeroporte si pjesë të strategjisë së mbrojtjes.
Procesi gjyqësor ndaj Kristian Gjonit pritet të nisë në fillim të vitit 2027. Nëse shpallet fajtor, ai rrezikon deri në 15 vite burg.
Nga ana tjetër, kompania ajrore Air Transat deklaroi se i merr shumë seriozisht pretendimet për ndërhyrje në sistemin e bagazheve dhe se ka bashkëpunuar me autoritetet duke vënë në dispozicion informacionin përkatës.
Një udhëtim i planifikuar për të festuar ardhjen në jetë të fëmijës së tyre të parë është kthyer kështu në një betejë të dhimbshme ligjore dhe personale për çiftin Gjoni.