Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka paralajmëruar se Rusia mund të konfiskojë anije që transportojnë mallra perëndimore, si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të ngjashme kundër tregtisë detare ruse. Gjatë muajve të fundit janë regjistruar disa raste kur forcat ushtarake perëndimore kanë sekuestruar anije, të cilat qeveritë e tyre i kanë akuzuar se janë pjesë e të ashtuquajturës “flotë hije” ruse.
Putin paralajmëroi të mërkurën, gjatë një takimi me komandantët e Flotës së Paqësorit, se Moska mund të ndërmarrë masa hakmarrëse kudo që e konsideron të nevojshme.
“Disa vende po shkelin të Drejtën e Detit duke u përpjekur të kufizojnë lëvizjen e anijeve tona tregtare civile. Së fundmi, atyre u lindi ideja të sekuestronin anijet tona dhe të shisnin pronën tonë të grabitur. Kjo sigurisht nuk është asgjë tjetër veçse pirateri dhe grabitje.” – tha Putin.
“Nëse një politikë e tillë zbatohet në praktikë, ne do të detyrohemi të përgjigjemi me masa të njëjta. Dhe jo domosdoshmërisht në ujërat ku po ndalohen anijet tona. Ne do ta bëjmë këtë kudo dhe në çdo vend që e shohim të arsyeshme.” – shtoi ai.
Komandanti i Flotës së Paqësorit, admirali Viktor Liina, deklaroi se ushtria ruse disponon informacione të detajuara mbi trafikun tregtar të vendeve perëndimore.
“Nga 24 prilli deri më 6 gusht 2026, 1,001 anije kaluan nëpër zonën ekskluzive ekonomike të Rusisë, prej të cilave 379 mbanin flamuj të vendeve jomiqësore. Mes tyre ishin 273 anije transporti mallrash dhe 71 anije-cisternë, përfshirë 26 nën flamurin britanik dhe nëntë nën flamurin francez.” – tha ai.
Britania e Madhe dhe Franca kanë kryer disa operacione për ndalimin e anijeve që dyshohet se i përkasin “flotës hije” ruse. Në qershor, The Telegraph raportoi se autoritetet britanike po shqyrtonin mundësinë e shitjes së rreth 100 mijë tonëve naftë bruto ruse të sekuestruar nga një anije-cisternë nën sanksione, dhe përdorimin e të ardhurave në ndihmë të Ukrainës.
Termi “flotë hije” përdoret nga qeveritë perëndimore për të përshkruar anijet që ndihmojnë Rusinë të anashkalojë sanksionet, veçanërisht kufirin maksimal të çmimit të vendosur ndaj naftës ruse. Moska e kundërshton këtë përcaktim, duke deklaruar se ai nuk ka bazë në të drejtën ndërkombëtare dhe se cënon të drejtën e Rusisë për të zhvilluar tregti detare.
Qeveritë perëndimore kanë vendosur sanksione të njëanshme ndaj qindrave anijeve dhe gjithnjë e më shumë kanë ndërmarrë edhe veprime fizike për ndalimin dhe sekuestrimin e disa prej tyre.