Putini i gatshëm t’i jap fund luftës në Ukrainë, çfarë pritet të ndodhë

Putini i gatshëm t’i jap fund luftës…

Presidenti rus Vladimir Putin, është i gatshëm t’i jap fund luftës në Ukrainë me një armëpushim të negociuar që njeh vijat aktuale të fushëbetejës, thanë katër burime ruse për agjencinë e lajmeve Reuters, duke theksuar se ai është i përgatitur të luftojë nëse Kievi dhe perëndimi nuk përgjigjen.

Tre nga burimet, të njohur me diskutimet në rrethin e Putinit, thanë se lideri veteran rus kishte shprehur zhgënjimin ndaj një grupi të vogël këshilltarësh për atë që ai i sheh si përpjekje të mbështetura nga perëndimi për të penguar negociatat dhe vendimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy për të përjashtuar bisedimet.

Putini mund të luftojë për aq kohë sa të duhet, por Putini është gjithashtu gati për një armëpushim – për të ngrirë luftën,” tha një nga katër burimet për Reuters.

Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, në përgjigje të një kërkese për koment, tha se shefi i Kremlinit e kishte bërë të qartë vazhdimisht se Rusia ishte e hapur për dialog për të arritur qëllimet e saj, duke thënë se vendi nuk dëshiron “luftë të përjetshme”.

Peskov tha se Rusia nuk kishte nevojë për mobilizim dhe në vend të kësaj po rekrutonte kontraktorë vullnetarë në forcat e armatosura.

Mundësitë e një armëpushimi, apo edhe të bisedimeve të paqes, duken aktualisht të largëta.

Presidenti Zelensky ka thënë vazhdimisht se paqja me kushtet e presidentit Putin nuk është e mundur. Ai është zotuar të rimarrë territorin e humbur, duke përfshirë Krimenë, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014. Ai nënshkroi një dekret në vitin 2022 që zyrtarisht shpalli çdo bisedë me Putinin “të pamundur”.

Një nga burimet e Reuters parashikoi se asnjë marrëveshje nuk mund të ndodhte derisa presidenti Zelensky është në pushtet, përveç nëse Rusia e anashkalon atë dhe arrin një marrëveshje me Uashingtonin. Megjithatë, sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, duke folur në Kiev javën e kaluar, u tha gazetarëve se nuk besonte se Putini ishte i interesuar për negociata serioze.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit