Qëllohet me armë godina e "CFO Pharma", pronë e oligarkut Nadir Çausholli

Qëllohet me armë godina e “CFO Pharma”,…

Të shtëna me armë janë regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në autostradën Tiranë-Durrës, ku raportohet se është qëlluar me kallashnikov godina e kompanisë “CFO Pharma”, që është në pronësi të Nadir Çaushollit.

Në futot nga vendi i ngjarjes mund të dallohen shenjat e plumbave në fasadën e ndërtesës, teksa deri më tani nuk raportohet për të lënduar në njerëz. Policia dhe hetuesit kanë mbërritur në vendin e ngjarjes dhe po mbledhin gëzhojat.

Ngjarja mendohet të ketë ndodhur rreth orës 02:00, teksa kamerat e sigurisë pritet të zbardhin më shumë për autorët, të cilët deri më tani nuk dihet se kush janë.

Nadir Çausholli është një emër i njohur, pasi disa vite më parë u arrestua dhe dënua si i përfshirë në një skemë mashtrimi me fondet e ilaçeve të rimbursueshme. Kompania e tij “CFO Pharma” u përjashtua për 6 muaj nga tenderat shtetërore, me vendim të Agjencisë së Prokurorimit Publik, për shkak se keqinformoi institucionet kontraktuese.

Megjithatë Çausholli doli nga burgu dhe përgjatë viteve 2019-2024 me anë të kompanisë së tij “CFO Pharma” arriti të fitojë disa milion euro tendera publikë.

Njoftimi i Policisë:

Rreth orës 08:10, në sallën operative të DVP Tiranë, ka ardhur njoftimi se në rrugën dytësore të autostradës “Durrës – Tiranë”, gjatë natës, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të fasadës së një ndërtese.

Nga të shtënat janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit