Qendra e Tiranës në një shekull, “shkatërrim krijues” apo “krijim shkatërrues”

Qendra e Tiranës në një shekull, “shkatërrim…

Aty ku nis Rruga e Durrësit, 10 fotot që tregojnë drejtimin (veri)perëndimor të kryeqytetit shqiptar.

“Shkatërrimi krijues” është një nga konceptet bazë në ekonomi e që përcakton thelbin e vërtetë të zhvillimit në kapitalizëm. Termi është përdorur për herë të parë nga ekonomisti austriak Joseph Schumpeter në librin e tij “Kapitalizmi, Socializmi dhe Demokracia” të shkruar në vitin 1942.

Koncepti thellësisht ekonomik përshkruan “procesin e industrializimit që në mënyrë të pandërprerë ndryshon strukturën ekonomike nga brenda, duke shkatërruar të vjetrën dhe duke krijuar vazhdimisht të renë.” Ashtu si ndodh edhe sot kur inovacioni shpërbën organizimet e vjetra dhe krijon modele të reja duke çliruar energji të mëdha zhvillimi. Pra, në thelb shkatërrimi krijues është një ligjësi që zbatimin e plotë të saj e ka në ekonomi.

Por marrëdhëniet mes fushave të jetës nuk kanë një kufi të prerë. Si pasojë edhe ky koncept mund të shtrihet e të zbatohet edhe gjetkë. Vetëm se si çdo gjë tjetër edhe në këtë rast nëse e tejkalon masën nga “shkatërrim krijues” kalohet në “krijim shkatërrues” apo thjesht shkatërrim. Janë të pafundme rastet kur në emër të së resë janë humbur përgjithmonë vlera të jashtëzakonshme. Shqipëria ofron shumë shembuj për këtë.

Nëse ka një vend në Shqipëri që e tregon vizualisht më së miri këtë gjë, është qendra e kryeqytetit. Për shumë e shumë arsye ajo që ka ndodhur përgjatë vetëm një shekulli, në zemër të Tiranës në fund ka rezultuar të jetë një “krijim shkatërrues” i mirëfilltë.

Nga Xhamia te Bashkia

Xhamia e Karapicit, (foto 1), ka qenë njëra nga dhjetëra xhamitë e Tiranës që sipas studiuesve ka qenë e ndërtuar në shekullin XVIII. Ajo më parë ishte quajtur Xhamia e Esnafit, por duke qenë se ishte restauruar në mesin e shekullit XIX, (1858) nga familja Karapici ajo pas asaj kohe ishte thirrur me emrin që e mbajti deri në vitin 1929.

Në atë kohë Mbreti Zog kishte nisur zbatimin e një plani të madh urbanistik, pas punës së arkitektëve më të njohur të Italisë së asaj kohe. Me një kredi që ishte marrë po nga italianët (SVEA), në pak vite do të ndërtoheshin ndërtesat publike më të bukura që ka Tirana, ndër to edhe bashkia e vjetër e kryeqytetit.

(foto 1)
Për të hapur rrugën e ndërtimit të saj trualli u shpronësua (foto 2) nga shteti dhe xhamia u prish për t’ia lënë vendin njërës prej ndërtesave më të bukura të sheshit “Skënderbej” në atë kohë. Ndërtimi i saj zgjati 2 vite (foto 3). Bashkia e vjetër e Tiranës, përurohet në vitin 1931 (fotot 4 dhe 5) për të qenë aty për gjysmë shekulli.


(foto 2)


(foto 3)


(foto 4,5)

Mallkimi komunist

 

Më 1944 në pushtet vijnë komunistët. Në pjesën më dërmuese referencat për regjimin e tyre janë një simbolikë e shkatërrimit dhe e mohimit, ndonëse ajo që trashëguan në të vërtetë kurrë nuk ka qenë aq e zezë sa e kanë paraqitur ata për qëllime të propagandës. Qendra e Tiranës (foto 6) e kishte marrë formën e saj. Ishte vërtet e bukur ashtu siç është edhe sot ajo pjesë që ka mbetur prej saj. Priste që të mbyllej pasi lufta e kishte ndërprerë zbatimin deri në fund të projektit të bërë nga italianët. Por komunistët kishin ardhur me një tjetër mendje. Gradualisht, me kalimin e viteve, ndërtimet me një arkitekturë krejt tjetër, të stilit socialist do t’i afrohen qendrës edhe nga ana veriperëndimore (foto 7). Rruga e Durrësit kishte filluar të transformohej që në fund të viteve ‘50.

(foto 6)


(foto 7)

Rreth 25 vjet më vonë komunistët e kohës marrin vendimin që ka mbetur një burim keqardhje edhe sot e kësaj dite. Në vitin 1976 Instituti i Studimeve dhe i Projektimeve të Urbanistikës dhe të Arkitekturës merr detyrën për studimin urbanistik të qendrës së kryeqytetit, pjesë e të cilit do të jetë edhe ndërrimi i një muzeu kombëtar në vend të ndërtesës së Bashkisë.

Komunistët donin ta thellonin gjurmën e tyre në qendër të kryeqytetit. Muzeu Historik Kombëtar së bashku me hotel “Tirana” dhe Pallatin e Kulturës, krijojnë një ansambël më vete, duke e kthyer qendrën në dy gjysma, ku ndërtesat e reja nuk kanë asnjë lidhje me konceptin fillestar. Si në shumë raste për të shembur Bashkinë e Vjetër në ndihmë iu erdhi dinamiti dhe pas disa viteve punime më 28 tetor 1981 përurohet Muzeu Historik Kombëtar.

Sipas një ideje besëtytnie ishte mallkimi i prishjes së xhamisë që nuk e linte atë vend që të “zinte vend”. Në fakt më shumë ka qenë mallkimi komunist që duke vepruar me fiksime të megalomanisë zgjodhi vendin më të papërshtatshëm për të ndërtuar një ndërtesë që gjithsesi në llojin e vet nuk ka të sharë. Për ndërtimin e asaj ndërtese që sot është njëra nga ata që dominojnë qendrën e Tiranës (foto 8) u angazhuan arkitektët më të njohur të kohës (Sokrat Mosko, Enver Faja, Nina Shehu dhe Petraq Kolevica) dhe për ndërtimin e saj u shpenzuan shumë më tepër para se sa për ndërtimin e Hotel Tiranës. Pjesa që e bën ndërtesën më tërheqëse është mozaiku që ka në ballinën kryesore me përmasa 37 x 11 m, i përbërë nga 13 figurina afërsisht 10 metra të larta në një sipërfaqe prej 400 m2. Është një punim tipik që ka ngurtësuar artin e realizmit socialist në qendër të kryeqytetit, i kryer nga piktorët Vilson Kilica, Met Deliu, Agim Nebiu, Josif Drobroniku dhe Aleksandër Filipi.


(foto 8)

“Revolucioni marshon”

Fillimi i viteve ‘90 i kishte rezervuar Shqipërisë fatin e çlirimit nga një regjim që pavarësisht propagandës, rezultoi të ishte më shkatërrimtari për sa i përket traditës. Është koha kur sheshi qendror i Tiranës kishte marrë një formë krejt tjetër (foto 9). Aty ishin fiksuar dy kohë, ku koha e re e komunizmit kishte hyrë dhunshëm me arkitekturën e saj. Por nuk do të ishte fundi. Vjen edhe një kohë e tretë, kaotike e zhurmshme, me plan dhe pa plan, që e ka ndryshuar sheshin sa herë janë ndërruar pushtetet. Është një kohë, e cila ka dashur medoemos ta ketë gjurmën e vet po aq të dhunshme edhe në qendër të Tiranës. Kryeqyteti dhe qendra e tij, më shumë se kurrë kanë qenë objekti i “shkatërrimit krijues”. (Foto 10) Kur e sheh peizazhin të mbërthyer në ndërtesa të larta nuk ke pse të mos mendosh se ka qenë edhe “krijim shkatërrues”.

(foto 9)

(foto 10)

/Nga Adi Darsi-Mapo.al/

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit