Gjykata e Tiranës ka pranuar kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burg për 34-vjeçaren Dorina Sejdini, duke urdhëruar lirimin e saj nga institucioni i vuajtjes së dënimit në Pojskë. Sejdini ndodhej në burg së bashku me foshnjën e saj njëvjeçare.
Vendimi u mor pas kërkesës së paraqitur nga avokati i saj mbrojtës, i cili kërkoi pezullimin e ekzekutimit të vendimit penal të formës së prerë.
34-vjeçarja u arrestua pak ditë më parë në pikën kufitare të Muriqanit, gjatë kthimit nga Gjermania së bashku me familjen. Sipas autoriteteve, ndaj saj ishte në fuqi një vendim i formës së prerë për një dënim 2-mujor me burg, për veprën penale të dhunës në familje ndaj vjehrrit të saj.
Pas njoftimit nga policia për ekzistencën e vendimit, Sejdini u paraqit vetë në Komisariatin nr. 6, ndërsa më pas u transferua në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Pojskë.
Fillimisht foshnja e saj nuk u dërgua në institucion, por një ditë më vonë iu bashkua nënës, pasi Sejdini kërkoi të ushtronte të drejtën ligjore për të mbajtur pranë fëmijën nën moshën 3 vjeç. Dy fëmijët e tjerë të mitur, 7 dhe 2 vjeç, mbetën nën kujdesin e familjarëve.
Në seancën e zhvilluar këtë të enjte, gjykata vendosi të pranojë kërkesën për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, duke mundësuar lirimin e menjëhershëm të Dorina Sejdinit. Çështja penale ndaj saj do të vijojë të ndiqet përmes rrugëve ligjore.