Një debat i ashpër raportohet se ka shpërthyer në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, mes kryeministrit
Edi Rama dhe deputetit Erion Braçe.
Sipas raportimeve mediatike, përplasja nisi kur Braçe shprehu pakënaqësinë e tij për mënyrën se si u votuan një ditë më parë në Kuvend anëtarët e Komisioni i Prokurimit Publik dhe kreu i ri i këtij institucioni.
Deputeti socialist raportohet të ketë kritikuar faktin se deputetëve iu kërkua të votonin kandidatë për të cilët, sipas tij, nuk ishte zhvilluar asnjë diskutim paraprak.
“Votuam njerëz që nuk i njohim. Na i sillni gjërat gati dhe kërkoni të votojmë me sy mbyllur”, raportohet të ketë thënë Braçe.
Kjo deklaratë nuk i ka pëlqyer kryeministrit Rama, i cili, sipas të njëjtave burime, i është përgjigjur duke theksuar se anëtarët e KPP-së janë propozim i qeverisë dhe se procedura lidhet me kërkesat e Bashkimit Europian.
“Ata janë verdikti i qeverisë. Ç’të bëj që na e kërkon BE-ja? Se nuk e sillnim fare në Kuvend”, citohet të ketë thënë Rama.
Raportohet se Braçe ka vijuar kundërshtimet, ndërsa më pas debati është përshkallëzuar.
Sipas burimeve mediatike, Rama i është drejtuar deputetit socialist me fjalët:
“Qepe gojën. Mos fol mbi mua. Ik p*rdhu.”
Pas përplasjes me Braçen, kryeministri raportohet të ketë lëshuar edhe një paralajmërim ndaj deputetëve socialistë.
“Do ta bëj ndonjërin shembull. Se deri tani kam menduar që nuk ju punojnë mirë neuronet”, mësohet të ketë deklaruar ai.
Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Kryeministria apo nga Erion Braçe lidhur me raportimet për debatin e zhvilluar në mbledhjen e grupit parlamentar.