Qeveria e Maqedonisë së Veriut pritet të shpallë 7 ditë zije kombëtare për tragjedinë e Koçanit të ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele.
Gjithashtu do të nënshkruhet një urdhër për të ushtruar kontrolle të rrepta në të gjitha lokalet dhe diskotekat që organizojnë mbrëmje festive, për të mbikëqyrur masat e sigurisë. Vendimet pritet të miratohen në orën 16:00 në mbledhjen e qeverisë.
Në orë 13:00 Ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski doli në një deklaratë për mediat, duke thënë se bilanci i tragjedisë është rënduar duke e çuar në 59 numrin e personave që kanë ndërruar jetën dhe 155 të të lënduarve.
Mes viktimave është raportuar edhe për një polic, i cili ka qenë në detyrë për të mbikëqyrur për lëndë narkotike. Ende nuk është bërë identifikimi i të gjithë personave që kanë ndërruar jetë, por Toshkovski tha se familjarët do të njoftohen në orët në vijim.
Familjarët e të rinjve që po festonin vijojnë të presin në ankth për fatin e të afërmve. Ngjarja ndodhi rreth orës 03:00, në diskon “Koçani Pulse”, dhe shkak i zjarrit mendohet të kenë qenë fishekzjarrët që janë përdorur për të krijuar atmosferë.