Qeveria gjobit kompaninë “Salillari” me 5.1 milionë euro

Qeveria gjobit kompaninë “Salillari” me 5.1 milionë…

Dogana e Durrësit ka vendosur një detyrim financiar prej 5.1 milionë eurosh ndaj kompanisë “Salillari”, pas konstatimit të shkeljeve në procedurat e importit të mbi 1.32 milionë kilogramëve naftë diesel 10ppm. Sipas Vendimit Nr. 626 të autoriteteve doganore, karburanti ishte deklaruar nën regjimin e përjashtimit nga taksat, në kuadër të projektit të ndërtimit të Bazës Ajrore të NATO-s në Kuçovë, për të cilin kompania kishte përfituar autorizimin përkatës.

Nga kontrollet në terren dhe verifikimet në sistemin Asycuda, audituesit doganorë kanë konstatuar se për rreth 1.3 milionë kilogramë naftë nuk ishte paraqitur kërkesa specifike e miratuar nga Agjencia e Mbështetjes dhe Prokurimit të NATO-s (NSPA). Për këtë arsye, dogana e ka konsideruar sasinë në fjalë si mall në qarkullim të lirë, duke llogaritur një detyrim fillestar prej 156 milionë lekësh për akcizë, TVSH, taksë qarkullimi dhe taksë karboni.

Përveç detyrimit të papaguar, ndaj kompanisë është aplikuar edhe një gjobë sa dyfishi i shumës së detyrimeve të munguara, në bazë të nenit 252 të legjislacionit doganor. Në total, fatura financiare arrin në 468 milionë lekë, ose rreth 5.15 milionë euro. Nga ana tjetër, përfaqësuesit e “Salillari” kanë kundërshtuar vendimin në rrugë administrative, duke pretenduar se karburanti mbulohej nga marrëveshja kuadër mes Shqipërisë dhe NATO-s, pretendim që është rrëzuar nga autoritetet doganore.

 

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit