Dhjetë vjet pas tërheqjes dramatike nga projekti prej 450 milionë eurosh në Gjirin e Lalëzit, shoqëria “Omnix Albania” rikthehet si investitore strategjike në Durrës. Kompania, e cila atëherë ishte në pronësi të administratorit libanez Fadi Mitri, u detyrua të tërhiqej pasi Mitri u dhunua barbarisht, pikërisht për ta penguar në realizimin e investimit.
Megjithatë, tanimë kompania është e gjitha shqiptare dhe duket se ka gjetur mbështetjen e politikës. Sipas të dhënave të bëra publike, katër kompanitë aksionere të “Omnix Albania” reflektojnë një “koalicion PD-PS”.
Struktura e pronësisë tregon se 50% e kapitalit të kompanisë zotërohet nga shoqëria “KLAR”, në pronësi të Shkëlqim Beshirit, një biznesmen i lidhur ngushtë me Shkëlzen Berishën, djalin e kreut të PD-së Sali Berisha.
Nga 17.5% e aksioneve zotërohen nga “Matrix Konstruksion” dhe “Blessed Investment”, kompani të lidhura me djemtë e ish-deputetes socialiste Valentina Leskaj. Pjesa tjetër prej 15% zotërohet nga “RDA Petrol” e Fation Veizajt, ish-deputet i Partisë Demokratike.
Përkundrejt tarifës simbolike prej 1 euroje, qeveria i ka dhënë kompanisë në përdorim 90.030 metra katrorë tokë shtetërore, për realizimin e një investimi po në turizëm. Vendimi parashikon vënien në dispozicion të tri pasurive të paluajtshme shtetërore, në Gjirin e Lalëzit, një zonë e lakmuar prej vitesh për investime.
Më herët, në korrik të vitit 2022, kompanisë iu dha statusi “Investim/Investitor Strategjik Procedurë e Veçantë” për projektin “Resort turistik me vendndodhje në Gjirin e Lalëzit”. Projekti parashikon një kompleks luksoz që përfshin një park rezidencial, një bulevard, një hotel me 5 yje, park ujor, klub fëmijësh, klub plazhi dhe do të shtrihet në një sipërfaqe prej më shumë se 237 mijë metra katrorë.
Vlera e investimit të projektit parashikohet të jetë rreth 216 milionë euro, ndërsa projekti do të ketë një shtrirje kohore prej 5 vitesh.
