Kryeministri Edi Rama ka ndryshuar kabinetin qeveritar pak para nisjes së pushimeve.
Në Kongresin e Partisë Socialiste, Rama ka komunikuar ndryshimet e reja dhe të papritura duke lënë me gojëhapur shumë prej pjesëmarrësve.
Dorëheqja e Lindita Nikollës nga posti i Kryetares së Kuvendit, duket se ka qenë justifikimi i duhur që Rama të ndryshonte qeverinë e tij në atë të Ballukut pasi e përbashkëta e dy prej ministrave të rinj është se ata janë drejtorë e vartës të Ballukut.
Si fillim postin e Nikollës tani e ka zënë Elisa Spiropali, ndërsa postin e saj si Ministre për Marrëdhëniet me Parlamentin e ka zënë Taulant Balla.
Ky i fundit vendin e tij ia ka lënë Ervin Hoxhës i cili së fundmi mbante postin e drejtorit te Pergjithshem te Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.
Më herët ai ka mbajtur postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit të Provës, drejtori në varësi të Ministrisë së Drejtësisë.

Ndërsa Niko Peleshi, i cili ka mbajtur postin e Ministrit të Mbrojtjes që prej vitit 2020, është emëruar kryetar i grupit të PS pasi vendin ia ka lënë Pirro Vengut.
Vengu, i cili deri më tani ishte drejtor i Portit të Durrësit, tani do drejtojë Ministrinë e Mbrojtjes. Por drejtori rilindas i Ballukut dhe i kapur dhjetëra herë me abuzime në tendera dhe miliona euro të humbura, do vazhdojë detyrën si ministër pa i hyrë asnjë gjemb në këmbë, ashtu siç ka bërë deri më tani.
Pirro ka qenë edhe drejtor i Antikorrupsionit në Kryeministri, por me abuzimet e bëra në krye të Portit të Durrësit e ka treguar më së miri rezultatin e punës që ka bërë.

Një ndryshim paksa i papritur në kabinetin qeveritar ishte edhe ai Ervin Metes, i cili largohet nga Ministria e Financave pa bërë as 1 vit në krye të këtij institucioni.
Vendin e tij tani e ka zënë Petrit Malaj, i cili aktualisht është drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Burimeve Natyrore.
Në janar të këtij viti, zv.Kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku prezantoi ekonomistin Malaj si kreun e ri të AKBN.
Por duket se kjo detyrë ishte si një parapërgatitje për postin e ardhshëm, në krye të shtatë muajve.
