Qeveria Rama, një histori skandalesh. A duhet të kërkojë ndjesë kryeministri?

Qeveria Rama, një histori skandalesh. A duhet…

Qeveria e Edi Ramës është përfshirë në një seri skandalesh korrupsioni që kanë tronditur opinionin publik dhe kanë bërë që Shqipëria të bëhet “gaz i botës”. Afera e inceneratorëve, abuzimi me fondet publike dhe përfshirja e figurave të larta qeveritare në çështje penale kanë vënë në pikëpyetje integritetin e lidershipit në vend. SPAK ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjykim Ilir Beqajn për tre akuza të rënda, ndërsa ish-kryetari i Bashkisë Durrës, Vangjush Dako, është dënuar me 2 vite e 8 muaj burg për shpërdorim detyre. Në të njëjtën kohë, ish-ministri Lefter Koka është dënuar me 5 vite e 8 muaj burg për aferën e inceneratorit të Elbasanit. Ndërkohë, Arben Ahmetaj është në arrati, edhe pse shfaqet në televizion, së fundmi edhe Erion Veliaj.

I gjithë ky zinxhir skandalesh tregon se njerëzit që Edi Rama i ka promovuar si figura të ndershme dhe punëtore, sot janë përballë drejtësisë. Por çuditërisht, ai ende nuk ka kërkuar ndjesë për këto dështime. Postet dhe pushteti nuk u janë dhënë këtyre individëve nga populli, por nga vetë kryeministri, i cili vazhdimisht i ka mbrojtur dhe promovuar. Në vendet demokratike, një lider që përfshihet në skandale të tilla do të kishte dhënë dorëheqjen ose të paktën do të kishte kërkuar falje publike.

A është normale që një kryeministër t’i sjellë njerëzit e tij në pushtet dhe më pas t’ia lërë drejtësisë të merret me ta? Ky është një model qeverisjeje që tregon ose mungesë kontrolli mbi ekipin, ose një sistem të qëllimshëm korruptiv që funksionon derisa të ekspozohet. Ndërsa drejtësia po vazhdon punën e saj, përgjegjësia politike mbetet e paadresuar. A duhet të kërkojë ndjesë Edi Rama për gjithë këtë situatë? Përgjigjja është e qartë: PO! Por, përderisa ai vazhdon të heshtë, mbetet për qytetarët të vendosin nëse do të vazhdojnë ta mbështesin një qeveri që ka prodhuar kaq shumë skandale.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit