Qeveria u fal 10 vite tatim-fitimin resorteve luksoze, ndërsa fut bizneset e vogla në TVSH

Qeveria u fal 10 vite tatim-fitimin resorteve…

Qeveria socialiste ka vendosur t’u zgjasë lehtësitë tatimore investitorëve të hoteleve dhe resorteve luksoze, ndërkohë që shton barrën fiskale për bizneset e vogla.

Me 77 vota, mazhoranca miratoi zgjatjen deri në fund të vitit 2029 të afatit që hotelet dhe resortet luksoze me 4 dhe 5 yje, që plotësojnë kriteret e statusit special, të përfitojnë 10 vite pa paguar tatim mbi fitimin.

Ndërkohë, për bizneset e vogla, qeveria përgjysmon pragun e TVSH-së nga 100 milionë në 50 milionë lekë të vjetra xhiro në vit.

Për ta kuptuar më thjesht: një biznes që shet mesatarisht 137 mijë lekë të vjetra në ditë do të futet në skemën e TVSH-së nëse e kalon pragun vjetor.

Dhe këto para nuk janë fitim! Me to, tregtari duhet të paguajë mallin, qiranë, dritat, punonjësit, sigurimet dhe në fund të mbajë familjen.

Madje, nga 1 janari 2027, do të merret për bazë xhiroja që bizneset kanë realizuar gjatë vitit 2026.

Tregtarët e vegjël do të përballen me kosto shtesë dhe presion për të rritur çmimet. Në fund, një pjesë të kësaj barre mund ta paguajnë qytetarët kur të shkojnë për të blerë ushqime apo produkte të tjera.

Qeveria argumenton se lehtësitë për resortet luksoze shërbejnë për tërheqjen e investimeve. Por përse një investitor me miliona euro kapital ka nevojë për 10 vite përjashtim nga tatimi mbi fitimin, ndërsa një familje që jeton me të ardhurat e një dyqani të vogël duhet të përballet me detyrime të reja?

Për resortet e milionerëve, lehtësi tatimore. Për dyqanet e lagjeve, detyrime shtesë.

Ky është kontrasti i dy vendimeve fiskale të një qeverie që reklamon buxhetin e saj si më socialin në histori.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit