Këtë të hënë, qeveria ka nisur shpërndarjen e “Bonusit të Pranverës”, nga i cili do të përfitojnë rreth 730 mijë pensionistë në vend. Ky bonus, i cili do të shtohet mbi pensionin e muajit shkurt, do të jetë 100 mijë lekë të vjetra për ata që marrin pensione deri në 200 mijë lekë dhe 50 mijë lekë të vjetra për ata me pensione më të larta.
Ky është bonusi i dytë që qeveria u jep pensionistëve, pas atij të fundvitit, dhe në total tani do të shpërndahen rreth 64 milionë euro.
Qeveria duket se është e pafuqishme për të ofruar politika që të moshuarit të kenë pensione më të larta të qëndrueshme, dhe jo vetëm bonuse dy herë në vit. Në një kohë kur kostoja e jetesës është rritur ndjeshëm, një rishikim i skemës së kontributeve shoqërore mund të ndihmonte në rritjen e pensioneve.
Dhënia e “Bonusit të Pranverës” vjen vetëm 70 ditë para zgjedhjeve të përgjithshme, duke ngritur dyshime mes kritikëve të qeverisë, të cilët e cilësojnë këtë shpërndarje si një “shpërblim elektoral”.
Vendimi për këto dy bonuse u mor pas pakënaqësisë së madhe që shkaktoi indeksimi me 4.1% i pensioneve në shtator 2024, i cili nga shumë pensionistë dhe qytetarë u konsiderua i pamjaftueshëm dhe një formë tallje ndaj nevojave të tyre.