Qindra të moshuar nga Kosova bllokohen në kufi, detyrohen të presin me orë të tëra edhe pse të vaksinuar

Qindra të moshuar nga Kosova bllokohen në…

Mëngjesi i kësaj të hëne e ka gjetur pikën e kalimit kufitar të Morinës me radhë të gjata qytetarësh në të dy anët e kufirit, e veçanërisht në pikën hyrëse të Shqipërisë, ku qindra qytetarë detyrohen të presin në radhë për të hyrë në vendin tonë.

Shkak për shtimin e radhëve në Morinë është bërë hyrja në fuqi e rregullave anticovid, ku çdo person që do të hyjë në Shqipëri duhet të paraqesë vaksinën anticovid, test negativ ose dëshmi që e ka kaluar Covid në 6 muajt e fundit. Në rast se nuk paraqet asnjë prej dëshmive të mësipërme, qytetari do të duhet të qëndrojë për 10 ditë në karantinë.

Shqiptarët e Kosovës, një pjesë e të cilëve të moshuar që duan të shkojnë drejt llixhave të Elbasanit, shprehen se ata e kanë dëshminë e vaksinës, dhe megjithatë nuk e kuptojnë pritjen me orë të tëra.

Ata thonë se radhët nuk janë normale, dhe kanë zbritur nga autobusët për shkak të humbjes së durimit me situatën e krijuar, ndërsa në radhë ka dhe mjete të vogla, e kamionë të transportit të mallrave.

Burime për Fax News bëjnë me dije se pala shqiptare po punon me të dyja sportelet, ndërkohë që një situatë e ngjashme u ndesh që prej datës 31 Gusht, në krahun tjetër të kufirit me shqiptarët që duhet të kalonin drejt Kosovës.

Shteti i Kosovës i aplikoi më herët detyrimet për të qenë të vaksinuar, ose me test negativ për të kaluar në kufi, dhe situata duket se po përsëritet. Edhe pse shtete të të njëjtit komb, dhe me shkëmbime njerëzore dhe tregtare të shumta, qeveritë e dy vendeve duket se nuk i kanë lënë pas krahëve pakënaqësitë mes tyre, për t’u ulur dhe për të biseduar një zgjidhje më të volitshme për shqiptarët.

Me një javë distancë, tashmë qytetarët e të dy shteteve do të duhet të presin me orë të tëra në Morinë për të kaluar, edhe pse shumë drejtues mjetesh e bëjnë pothuajse çdo ditë këtë aks rrugor. Nga të dy anët e kufirit ka akuza se e gjitha kjo bëhet për të favorizuar kompanitë që kryejnë teste të shpejta, që marrin nga 15 deri në 25 euro për të bërë të mundur kalimin në doganë.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit