Qytetarët mblidhen para Gjykatës, kërkojnë lirimin e 21 protestuesve

Qytetarët mblidhen para Gjykatës, kërkojnë lirimin e…

Dhjetëra qytetarë, aktivistë dhe mbështetës të protestuesve të arrestuar janë mbledhur këtë të shtunë para Gjykatës Penale të Tiranës, ku po zhvillohet seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj 21 personave të ndaluar pas protestës së 2 korrikut pranë Kuvendit. Me pankarta dhe thirrje si “Lironi çunat!”, protestuesit kërkuan lirimin e menjëhershëm të të arrestuarve, duke deklaruar se ndalimet janë të paligjshme dhe se mungojnë provat për akuzat e ngritura ndaj tyre.

Masat e sigurisë do të shqyrtohen nga gjyqtari i gatshëm Sokol Mara, ndërsa të 21 të arrestuarit do të paraqiten në një seancë të vetme së bashku me avokatët e tyre. Prokuroria i akuzon për shkatërrim prone, kundërshtim të punonjësve të policisë dhe organizim të paligjshëm të protestave. Nga ana tjetër, mbrojtja pretendon se provat nuk mbështesin këto akuza, duke argumentuar se gjatë protestës janë përdorur vetëm vezë dhe miell, ndërsa ka ngritur gjithashtu pretendime për ushtrim dhune nga efektivët e Policisë së Shtetit.

Tubimi i sotëm është vazhdim i protestave të organizuara pas tensioneve të regjistruara gjatë seancës plenare të 2 korrikut, kur përplasjet mes protestuesve dhe forcave të rendit çuan në arrestime dhe të lënduar nga të dyja palët. Organizatorët e protestës e konsiderojnë arrestimin e 21 qytetarëve si të padrejtë dhe kanë paralajmëruar se reagimi qytetar do të vijojë deri në lirimin e tyre.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit