
Marrëveshja mes kryeministrit Edi Rama dhe homologes italiane Georgia Meloni për sjelljen e emigrantëve të jashtëligjshëm në vendin tonë, ka hasur kundërshtitë e para në Lezhë.
Gjatë pasditës të së enjtes, banorët e këtij qyteti, me pankarta në duar kanë protestuar në pedonalen e qytetit kundër kthimit të Shëngjinit dhe Gjadrit në qendër pritëse për 36 mijë emigrantët që do të vijnë nga vendet e Afrikës.
Qytetarët e Lezhës shprehen se askush nuk i ka pyetur nëse janë dakord për vendosjen e emigrantëve në një nga pikat më të bukura turistike të qarkut Lezhë.
Gjithashtu ata nënvizojnë se dikur në Lezhë vend kanë kuvenduar princat e mbledhur nga të gjitha trojet shqiptare, ndërsa sot po kthehet në një kamp emigrantësh dhe se nuk iu është marrë mendimi për diçka të tillë.
Po ashtu nuk janë kundër ardhjes së emigrantëve nga afrika, por sipas tyre ata duhet që të vendosen edhe në qytete të tjera portuale si Durrësi, Vlora apo edhe Saranda.