Ka ndërruar jetë në spital Maridon Dhuli, 37 vjeç, i cili mbeti i plagosur rëndë pasi automjeti tip “Volkswagen Touran” që drejtonte u përfshi nga flakët gjatë natës së kaluar, në vendin e quajtur “Skërficë”, në aksin rrugor Kardhiq-Delvinë.
37-vjeçari, banues në fshatin Fterrë, Bashkia Himarë, pësoi djegie të shkallës së tretë në trup. Pas ngjarjes, disa qytetarë që ndodheshin rastësisht në zonë i kanë ardhur në ndihmë.
Mes tyre, Sokol Ahmetaj dhe Klajdi Selfi, qytetar nga Saranda, i cili po kthehej nga Tirana, kanë ndërhyrë për të shuar flakët në trupin e të riut. Selfi ka përdorur xhupin e tij për të shuar flakët, si dhe ka njoftuar shërbimet mjekësore dhe ato të qarkullimit rrugor.
Pas marrjes së ndihmës së parë në urgjencën e Sarandës, 37-vjeçari u transportua me ambulancë drejt Tiranës për trajtim më të specializuar, por, pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra.