Qytetari denoncon kirurgun e QSUT: Më la me orë në pritje mes dhimbjeve, u detyrova të operohem në Itali!

Qytetari denoncon kirurgun e QSUT: Më la…

Një qytetar i është drejtuar redaksisë së JOQ Albania me një denoncim ndaj kirurgut Arjan Xh., për mënyrën se si pretendon se është trajtuar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT).

Sipas qytetarit, ai ishte paraqitur në Urgjencën e QSUT-së për shkak të një problemi serioz në zorrën e trashë, për të cilin kishte nevojë për ndërhyrje kirurgjikale. Ai pretendon se një ditë më parë mjeku e kishte kthyer mbrapsht, duke i kërkuar të paraqitej të nesërmen në orën 08:00.

Denoncuesi thotë se shkoi në spital me ambulancë dhe se, megjithëse ishte njoftuar të paraqitej në atë orë, u la në pritje për disa orë, ndërsa vuante nga dhimbje të forta.

Sipas tij, fillimisht kirurgu i kishte shkruar me mesazh që të hynte në pavijon, por më pas nuk pati më asnjë komunikim. Qytetari pretendon se rreth orës 10:11 i dërgoi një tjetër mesazh, duke e njoftuar se kishte më shumë se dy orë në pritje në urgjencë, ndërsa rreth orës 12:50 i shkroi se do të largohej pasi nuk po merrte zgjidhje.

Denoncuesi ka vënë në dispozicion të redaksisë pamje të komunikimeve dhe regjistrin e telefonatave, ku, sipas tij, shfaqen disa tentativa për të kontaktuar kirurgun në orën 07:54, 07:56, 11:19 dhe 12:21.

Qytetari pretendon se, përballë kësaj situate, vendosi të largohej nga Shqipëria. Ai thotë se më 26 qershor udhëtoi drejt Italisë dhe se ditën pasardhëse iu nënshtrua një operacioni në një spital në Como, ku, sipas tij, ndërhyrja u krye menjëherë. Ai shprehet se disponon dokumentacionin mjekësor që vërteton operacionin.

JOQ Albania publikon këtë denoncim në interes publik, duke theksuar se këto janë pretendimet e qytetarit, të cilat nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur nga redaksia.

Redaksia jonë fton kirurgun Arjan Xhixha, si edhe Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, të japin reagimin e tyre lidhur me këto pretendime. Nëse do të ketë një sqarim apo përgjigje zyrtare, JOQ Albania do ta publikojë të plotë, në respekt të parimit të balancimit të informacionit.

 

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit