Pas publikimit nga JOQ Albania të denoncimit të një qytetareje, e cila pretendonte se kishte blerë ëmbëlsira “Kerrtap” të mykura në Someg Bakery, kompania ka reaguar duke hedhur poshtë akuzat dhe duke i cilësuar ato si të pabazuara.
Sipas Someg Bakery, pas verifikimit të sistemit të gjurmueshmërisë HACCP, rezulton se të gjitha ëmbëlsirat “Kerrtap” të ekspozuara në dyqan ishin prodhuar në të njëjtën ditë.
“Kemi ndjekur gjurmueshmërinë e produktit dhe konfirmojmë se ëmbëlsirat ‘Kerrtap’ të shitura atë ditë kanë qenë të gjitha nga i njëjti prodhim. Nëse do të kishte pasur problem me mykun, ai do të ishte shfaqur në të gjithë produktet e atij loti dhe jo vetëm në një copë të vetme”, thuhet në reagimin e kompanisë.
Someg Bakery shpjegon gjithashtu se ëmbëlsira “Kerrtap” është e mbuluar plotësisht me një shtresë çokollate, e cila sipas tyre kufizon kontaktin me ajrin dhe lagështinë, duke e bërë shumë të vështirë zhvillimin e mykut.
Sipas kompanisë, që një produkt i tillë të myket duhet të jetë dëmtuar fizikisht dhe të jetë mbajtur jashtë frigoriferit për një periudhë kohe.
Në reagim theksohet gjithashtu se produktet ruhen në frigoriferë me temperaturë rreth 3 gradë Celsius dhe në kushte të kontrolluara lagështie deri në momentin e shitjes.
“Pasi produkti largohet nga ambientet tona, nuk mund të mbajmë përgjegjësi për mënyrën se si ruhet, veçanërisht gjatë temperaturave të larta të verës në Tiranë”, shprehet kompania.
Në fund të reagimit, Someg Bakery e cilëson denoncimin si një sulm të qëllimshëm ndaj biznesit.
“Ky është një denoncim dashakeq, i nxitur nga konkurrenca dhe persona që synojnë të hedhin baltë mbi një biznes 33-vjeçar, i cili gëzon besimin e klientëve prej shumë vitesh”, përfundon reagimi i kompanisë.
Ky është qëndrimi zyrtar i Someg Bakery lidhur me denoncimin e publikuar një ditë më parë nga JOQ Albania.
Reagimi i plotë i kompanisë SOMEG Bakery:
Prodhimi i pastave funksionon me sistemin e gjurmueshmërisë HACCP. Duke ndjekur gjurmueshmërinë, konfirmojmë se pastat Kerrtap që kanë qenë në dyqan janë prodhuar në të njëjtën ditë. Nëse do të ishin të mykura, do të ishin të gjitha.
Pastat Kerrtap mbulohen plotësisht me një shtresë çokollate, ndaj edhe kanë këtë emër. Kjo shtresë nuk lejon kontaktin me agjentët atmosferikë që mund të krijojnë myk. Që kjo të ndodhë, produkti duhet të jetë i dëmtuar dhe të ketë qëndruar jashtë frigoriferit.
Nga pikëpamja mikrobiologjike, çokollata ka një aktivitet shumë të ulët të përthithjes së ujit, pothuajse zero. Shkëmbimi i lagështisë dhe ekspozimi ndaj oksigjenit reduktohen ndjeshëm, gjë që nuk krijon kushte të favorshme për zhvillimin e mykut.
Ky është një denoncim dashakeq, i nxitur nga konkurrenca dhe nga persona që duan të hedhin baltë mbi një biznes 33-vjeçar me një klientelë shumë besnike.
Produktet tona ruhen në frigorifer me temperaturë 3°C dhe me lagështi të kontrolluar. Nuk mund të mbajmë përgjegjësi për një produkt që, pasi del nga dyqani ynë, mund të ruhet në kushte të papërshtatshme, sidomos duke pasur parasysh temperaturat e larta në Tiranë.