Mbi 80% e territorit të Qarkut të Korçës rezulton pa popullsi banuese në rrjetin standard territorial 1×1 kilometër, niveli më i lartë në vend. Pas Korçës renditen Gjirokastra me 77,5%, Vlora me 71,4% dhe Kukësi me 70,7%, ndërsa në Shkodër 67,2% e territorit rezulton pa banorë. Të dhënat publikohen në Raportin Përfundimtar të Reformës Administrativo-Territoriale 2.0 dhe bazohen në Censin 2023.
Në kahun tjetër, përqendrimi më i madh i popullsisë vërehet në Qarkun e Durrësit, ku vetëm 20,6% e sipërfaqes rezulton pa banorë. Fieri ka 39,9% territor bosh, ndërsa Tirana 43,7%. Në rang kombëtar, mesatarisht rreth 57% e territorit të bashkive shqiptare nuk ka popullsi në qelizat 1×1 kilometër, duke treguar se banorët janë përqendruar kryesisht në qytete, fusha, lugina dhe korridore të caktuara.
Raporti vlerëson se kjo shpërndarje e pabarabartë ka ndikim të drejtpërdrejtë në organizimin territorial dhe ofrimin e shërbimeve publike. Në qarqet malore dhe në juglindje, sipërfaqet e mëdha me popullsi të rrallë rrisin kostot për rrugët, transportin, shërbimet sociale, emergjencat dhe administrimin për banor. Për këtë arsye, analiza nuk mbështetet vetëm te dendësia tradicionale e popullsisë, por edhe te dendësia e perceptuar dhe treguesit e përqendrimit hapësinor.