
Andrey Badalov, një ndër drejtuesit kryesorë të industrisë ruse të naftës, ka humbur jetën në rrethana misterioze, pasi u rrëzua nga kati i 17-të i një ndërtese luksoze në Moskë. 62-vjeçari ishte zëvendëspresident i kompanisë shtetërore Transneft, monopoli i tubacioneve të naftës në Rusi.
Trupi i tij u gjet mëngjesin e sotëm në lagjen elitare Rublevskoye, një zonë e pasur ku banojnë shumë nga elitat ruse. Mediat lokale raportojnë se Badalov jetonte në katin e 10-të, por kishte rënë nga kati i 17-të, një detaj që shton edhe më shumë dyshimet rreth rrethanave të vdekjes.
Hetuesit e cilësuan paraprakisht rastin si vetëvrasje, duke pretenduar se ishte gjetur një letër e lënë për bashkëshorten. Por ky nuk është rasti i parë i një figure të lartë që humb jetën në mënyrë të dyshimtë në Rusi.
Badalov kishte marrë detyrën në vitin 2021, në një periudhë të vështirë për Transneft për shkak të sanksioneve perëndimore. Ai ishte vlerësuar për kontributin e tij në menaxhimin e krizës dhe kishte një të kaluar në kërkimin shkencor dhe në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura.
Ai lë pas një grua dhe dy vajza.
Vdekja e Badalovit i shtohet një zinxhiri të gjatë figurash të njohura ruse që kanë humbur jetën në rrethana të dyshimta në vitet e fundit, shumica përmes “rrëzimit” nga ndërtesa të larta.
Në tetor, Mikhail Rogachev, 64-vjeç, ish-zv/president i kompanisë Yukos (të mbyllur pasi iu kundërvu Putinit), u gjet i vdekur pas një rrëzimi 34 metra nga një ndërtesë në Moskë. Raportet flisnin për vetëvrasje për shkak të kancerit dhe një letre lamtumire, por familjarët e tij e mohuan kategorikisht.
Në shtator 2022, Ravil Maganov, drejtues në kompaninë Lukoil, ra nga dritarja e një spitali elitar në Moskë. Asnjë kamerë sigurie nuk funksiononte në vendin e ngjarjes dhe nuk u gjet ndonjë letër vetëvrasjeje. Më pas, pasardhësi i tij, Vladimir Nekrasov, vdiq në tetor 2023, në moshën 66-vjeçare, nga “insuficiencë akute kardiake”.
Në nëntor 2023, një tjetër figurë e afërt me Lukoil, senatori Vladimir Lebedev, 60 vjeç, vdiq në mënyrë të pashpjegueshme – u gjet i varur në tualetin e zyrës nga drejtuesi i tij.
Në mars, Vitaly Robertus, zv/president tjetër i Lukoil, vdiq gjithashtu, ndërsa në raste të ndara, figura të larta të drejtësisë dhe politikës kanë përfunduar jetën në mënyrë të ngjashme.
Natalia Larina, 50-vjeçe, gjyqtare që kishte gjykuar kundërshtarë të Kremlinit, u gjet e vdekur pas rrëzimit nga një ndërtesë e lartë në Moskë. Vladimir Egorov, një politikan i pasur dhe aleat i Putinit, vdiq në dhjetor pasi ra nga kati i tretë i banesës së tij.
Vetëm pak javë më parë, trupit i Anna Tsareva, zëvendësredaktores së një prej mediave më të afërta me Kremlinin, u gjet në banesën e saj. Ajo vdiq vetëm një vit pas shefit të saj, Vladimir Sungorkin.
Po ashtu, në shkurt të vitit të kaluar, Marina Yankina, zyrtare e lartë në Ministrinë e Mbrojtjes, ra nga kati i 16-të i një ndërtese në Shën Petersburg. Ajo kishte një rol kyç në financimin e luftës së Rusisë në Ukrainë.
Shumica e rasteve klasifikohen zyrtarisht si “vetëvrasje” ose “aksidente”, por mungesa e provave të besueshme, mohimi i familjarëve dhe profili i lartë i viktimave kanë bërë që shumë të dyshojnë se pas këtyre vdekjeve fshihen motive të errëta.