Mbrëmjen e djeshme, hyrja në “Eagle Stadium” për koncertin e Kanye West u kthye në një sfidë më vete për mijëra fansa. Edhe pse koncerti ishte planifikuar të niste në orën 20:00, ai u shty me një orë, ndërsa pjesëmarrësit u përballën me radhë shumë të gjata, konfuzion mes hyrjeve dhe grumbullime të mëdha njerëzish. Shumë prej tyre kishin mbërritur që prej orës 17:00, por fluksi nuk u menaxhua siç duhej.
Situata u rëndua edhe më shumë nga mungesa e orientimit. Në hyrje nuk kishte personel që t’u tregonte qytetarëve se ku duhej të drejtoheshin, ndërsa edhe efektivët e policisë, sipas dëshmive të të pranishmëve, ishin të painformuar dhe nuk mund të ofronin udhëzime të qarta. Fansat ngritën ankesa edhe për mungesën e kontrolleve të dukshme dhe organizimin e dobët të hyrjes në stadium.
Vonesat, mungesa e koordinimit dhe informacionit krijuan pakënaqësi te publiku, duke bërë që hyrja në stadium të ishte një nga momentet më problematike të mbrëmjes. Pavarësisht se koncerti u zhvillua, shumë pjesëmarrës e cilësuan organizimin e aksesit si të papërshtatshëm për një event me përmasa të tilla.