
Radhë kilometrike janë krijuar ditën e sotme në pikën doganore të Qafë Botës.
Qytetarët që po udhëtojnë drejt Shqipërisë nga Greqia janë përballur me radhë të gjata dhe pritje të stërzgjatura për shkak të reduktimit drastik të stafit doganor në palën greke.
Mësohet se aktualisht pala greke po operon vetëm me dy sportele dhe tre doganiere femra të sjella nga Dogana e Kakavijës.
Ndërkohë, pala shqiptare po funksionon me tre sportele, por fluksi i madh i qytetarëve dhe ngadalësimi në procedura nga ana greke ka sjellë bllokime dhe kaos në kufi.
Kujtojmë se shkak për këtë kaos dhe bllokim disa ditore është bërë arrestimi i 14 doganierëve grekë, përfshirë 7 burra dhe 7 gra, mes tyre edhe shefi i doganës.
Ata akuzohen për përfshirje në një grup të organizuar kriminal dhe për marrje ryshfeti në bashkëpunim.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë greke, grupi kriminal i përbërë nga punonjës të Autoritetit Doganor merrte përfitime të paligjshme financiare në këmbim të moskryerjes së kontrolleve doganore. Dosja hetimore përmban mbi 2,000 faqe materiale, duke përfshirë video, fotografi dhe biseda të regjistruara që zbulojnë skemën e korrupsionit.