Kryeministri Edi Rama vijon të shpalosë premtimet e tij për fushatën zgjedhore të 11 majit, duke sjellë këtë herë një risi: pasaportën evropiane!
Pavarësisht se ka kaluar 12 vite në krye të qeverisë dhe Shqipëria ende endet në dhomën e pritjes së BE-së, Rama ka gjetur një mënyrë gjeniale për të rinovuar kontratën e tij me pushtetin: premton se në vitin 2030, shqiptarët do të jenë qytetarë të Evropës!
Se pse nuk u anëtarësuam në këto tre mandate, është thjesht një “detaj” i vogël. Por pse nuk do të anëtarësohemi as në këtë të katërtin? Epo, për këtë ka një plan të qartë: kërkojmë mandatin e pestë!
Vlen të kujtohet që nëse Rama e fiton mandatin e viti 2025, afati i tij përfundon në vitin 2029, dhe në atë kohë, kur përsëri të mos jemi anëtarësuar në BE, nuk është çudi që kryeministri të kërkojë një mandat të pestë për anëtarësim total.
Me të drejtë, ai nuk po thotë se do ta anëtarësojë vendin brenda këtij mandati, por me shpresë në vitin 2030.
“Ne mund t’i sigurojmë çdo shqiptari pasaportën evropiane të Shqipërisë 2030. Kjo pasaportë duhet të ndryshojë. Duhet të shtohet diçka themelore, BE-Republika e Shqipërisë. Për t’ju dhënë pasaportën e BE-së na duhet jo thjesht një mandat i katërt, por një mandat më i fortë. Kush e do pasaportën e BE-së ka vetëm një mundësi dhe një rrugë të bashkohet dhe me votën e bashkuar të na jap këtë mundësi që të pajisim shqiptarët me pasaportën e BE-së brenda kësaj dekade”, u shpreh Rama