Ish-sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në Partinë Demokratike, Jola Hysaj, ka reaguar përmes një postimi publik pasi Rama e emëroi në krye të Agjencisë Kombëtare të Turizmit, duke iu përgjigjur pyetjeve të shumta që ka marrë nga miqtë dhe ndjekësit.
Hysaj konfirmon se është takuar me kreun e qeverisë, duke zbuluar detaje nga biseda: “Po e kam takuar Edi Ramën. Fjala që më mbeti në mend ishte: ‘Nuk dua të bëhesh socialiste, dua të çosh më lart institucionin që ngriti Zana Çela’.”
Lidhur me qasjen e saj politike, ajo sqaron pozicionin e saj aktual: “Po jam demokrate, por nuk jam me Partinë Demokratike. Jam me partinë e Shqipërisë turistike.”
Në mbyllje të reagimit, ajo u bën thirrje ndjekësve të respektojnë zgjedhjen e saj: “Uroj të respektoni lirinë dhe zgjedhjen time për të bërë një punë të re në një sektor ku kam punuar shumë vite. Gjithkush është i lirë të spekullojë dhe thurrë teori konspirative. Por kush më njeh e di që unë i pres drutë shkurt. Kaq kisha nga ana ime. Kush do më urojë punë të mbarë e falenderoj! Kush do më shajë dhe mallkojë e ngushëlloj.”