Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një ndryshim në orarin e qëndrimit të fëmijëve në shkollë, duke bërë të ditur se nga viti 2027 ata do të qëndrojnë në ambientet shkollore deri në orën 17:00.
Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Rama tha se për këtë qëllim është parashikuar edhe një buxhet, me synimin për t’u dhënë mundësi prindërve të vijojnë punën, ndërsa fëmijët të qëndrojnë në shkollë edhe pas përfundimit të orarit mësimor.
Sipas kryeministrit, koha shtesë do të shfrytëzohet për aktivitete sportive, kulturore dhe artistike, si piktura, fotografia, zejet dhe veprimtari të tjera që synojnë zhvillimin dhe socializimin e fëmijëve.
“Zgjatja e qëndrimit të fëmijëve në shkollë do të fillojë menjëherë vitin e ardhshëm. Kemi vendosur një buxhet që prindërit të punojnë dhe fëmijët do të jenë në shkollë deri në 5 pasdite”, u shpreh Rama.