Rama flet për fermerët, por hesht për miliardat e zhdukura nga fondet IPARD

Rama flet për fermerët, por hesht për…

Kryeministri Edi Rama foli sot me dramatizim për bujqësinë, por shmangu plotësisht skandalin e fondeve IPARD që po dëmton rëndë fermerët shqiptarë.

Kryeministri Edi Rama doli sot në një tryezë me fermerët dhe sipërmarrësit e sektorit rural, duke u përpjekur të tregojë interes për hallet e bujqësisë dhe blegtorisë në vend. Me tone të ngarkuara emocionalisht dhe një gjuhë që synonte më shumë efekte teatrale sesa zgjidhje konkrete, Rama premtoi përkushtim për fshatin shqiptar. Por, në asnjë moment nuk përmendi bllokimin e fondeve të BE-së përmes programit IPARD, një prej burimeve kryesore të financimit për këtë sektor.

Fondi IPARD, i cili vjen nga Bashkimi Europian për të mbështetur zhvillimin rural, ka mbetur i ngrirë për më shumë se dy vjet për shkak të abuzimeve të zbuluara nga hetimet e BE-së. Miliona euro janë shpërdoruar dhe Brukseli ka kërkuar kthimin e parave. Ndërkohë, Shqipëria ka humbur aksesin në këto fonde, duke i lënë fermerët pa ndihmë në një moment kritik për prodhimin vendas.

Në vend që të reflektojë dhe të marrë përgjegjësi për këtë situatë, Rama vijon të ndjekë linjën e propagandës politike. Frida Krifca, ish-ministrja e Bujqësisë dhe një nga personazhet kyç të përmendura në aferën IPARD, jo vetëm që nuk është ndëshkuar, por është promovuar si këshilltare në kabinetin qeveritar.

Paratë që duhej të shkonin për sera, magazina, infrastrukturë dhe subvencione reale për fermerët, janë përfunduar në projekte të rreme, kompani fantazmë dhe investime luksoze që nuk kanë lidhje me fshatin shqiptar. Ndërsa fermerët përballen me mungesë uji, mungesë tregu dhe mungesë mbështetjeje, qeveria vijon të mbyllë sytë ndaj përgjegjësisë.

Ironikisht, një skandal i ngjashëm me fondet IPARD ka ndodhur edhe në Greqi. Por ndryshe nga autoritetet shqiptare, qeveria greke mori masa të menjëhershme duke shkarkuar ministrin përgjegjës dhe nisur hetimet deri në nivelet më të larta, me zotimin personal të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis për transparencë të plotë.

Në këtë sfond, fjalimet e sotme të Ramës duken si një përpjekje për të devijuar vëmendjen publike. Ndërsa skandali IPARD zgjerohet dhe dëmi ndaj bujqësisë shqiptare bëhet i pakthyeshëm, mungesa e transparencës dhe e ndëshkimeve po zhyt edhe më thellë besimin publik në institucione.

Fermerët kanë nevojë për zgjidhje konkrete, jo për performanca politike. Por sa kohë që fondet do të keqpërdoren dhe skandalet do të kalojnë pa ndëshkim, kriza në bujqësi do të vijojë të thellohet.

Më Të Klikuarat


Lajmet e fundit