Rama i mashtron sërish palët, shkel një tjetër pikë të marrëveshjes së 5 Qershorit, SPAK nuk do të hetojë krimet zgjedhore

Rama i mashtron sërish palët, shkel një…

Rama tërhiqet edhe nga ato pak pika të marrëveshjes zgjedhore që u arrrit nga Këshilli politik në 5 qershor 2020. Ato që kanë vendosur Oerd Bylykbashi dhe Damian Gjuknuri për mënyrën e hetimit të vjedhjeve të votave, po i heq Ulsi Manja dhe Etilda Gjonaj.

Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme nuk janë dakord që Kryeprokurori dhe drejtuesi i SPAK të jenë të detyruar me ligj që t’i japin informacion KQZ për hetimin e krimeve zgjedhore. Sipas këtyre dy institucioneve, kjo marrëveshje politike, bie ndesh me reformën në drejtësi dhe cenon pavarësinë e prokurorëve.

Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme me mbështetjen e socialistëve në Komisionin e Ligjeve kanë dalë kundër Këshillit politik.

Sipas dakordësimit politik mes PS dhe PD, kryeprokurori dhe drejtuesi i SPAK detyrohen me ligj që të japin informacion KQZ-së, brenda 15 ditësh, për hetimin e veprave penale në fushën e zgjedhjeve.

Por këto ndryshime sipas Prokurorisë së Përgjithshme dhe Ministrisë së Drejtësisë, bien ndesh me reformën në drejtësi.

“E kemi konsideruar të pabazuar në Kushtetutë por propozimet cenojnë edhe pavarësinë e prokurorit në ushtrimin e funksioneve.”, nënvizon prokuroria.

I këtij mendimi është kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i cili marrëveshjes PD-PS i kundërvë nenet e Kodit të Procedurës Penale.

“Është e tepërt sepse nuk merr në konsideratë parashikimet e nenit 103 dhe 279 të kodit të procedurës penale që ka të bëjë me ndalimin e publikimit të akteve dhe ruajtjen e sekretit hetimor gjatë hetimeve paraprake”, deklaron Manja.

Gjithashtu sipas këtyre ndryshimeve, pjesë e paketës me 7 ligje të dakordësuar mes Gjiknurit dhe Bylykbashit, SPAK do të hetonte krimet zgjedhore.

Por këto formulime, sipas institucioneve, janë të pabazuara në Kushtetutë.

“Për çdo çështje në fushën e krimeve zgjedhore do të duhej që vetë drejtuesi i prokurorisë të jetë përgjegjës për atë çështje, kështu që në vlerësimin tonë bie ndesh me parashikimet aktuale ligjore si dhe me reformën në drejtësi.”, deklaron Manja, duke i prerë rrugën ndryshimeve të dakordësuara mes dy forcave politike në funksion të mirëbesimit në zgjedhje.

Për shkak të këtyre kundërshtive dhe mungesës së relatorit Alket Hyseni, Komisioni i Ligjeve vendosi të shtyjë diskutimin në një mbledhje tjetër.

Burimi: TPZ.al

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit