Rama inspekton punimet për spitalin në Fier, kërkon që të përfundojë para zgjedhjeve

Rama inspekton punimet për spitalin në Fier,…

Kreu i qeverisë Edi Rama ka mbërritur për herë të tretë në dhjetë ditë në Fier, ku ka nisur puna në kantier për ndërtimin e spitalit të ri rajonal, një investim i qeverisë turke, dhe që do të menaxhohet po ashtu në muajt e parë nga drejtues jo shqiptar.

Rama shoqërohej në këtë takim nga ministret Belinda Balluku Ogerta Manastirliu, ndërkohë që nuk harroi ti kujtonte inxhinierëve turk kohën se kur duhet të përfundojë spitali, pikërisht në muajin e zgjedhjeve, Prill, ku do tiu kërkojë shqiptarëve mandatin e tretë qeverisës.

 “3 muaj janë, s’ka kohë më të shpejtë të mundshme, 3 muaj janë”, tha Rama. “Ne do ta bëjmë sa më shpejt, jemi në dijeni të pozicionit që kemi dhe presionit që kemi”, u shpreh inxhinieri turk nga ana e tij.

Nga ana tjetër kryeministri kërkoi që familjet që janë shpronësuar nga toka ku do të ndërtohen ambientet e reja të nisin punën në kantier bazuar në aftësitë që ata kanë. Në këtë mënyrë Rama sheshon dhe pakënaqësitë që ata kishin për shpronësimin e tokës, dhe marrjen e saj për ndërtimin e spitalit, sa kohë që punimi i tokës ishte burim të ardhurash.

“Unë kam një kërkesë që atyre familjeve që janë shpronësuar me mirëkuptim duhet t’i takosh dhe që nga ai zotëria që unë fola atë ditë t’i ofroni mundësinë që të punojnë këtu, në çfarëdo lloj pozicioni që ata mund të punojnë, duke pasur parasysh aftësitë dhe nevojën e tyre për të qenë të punësuar këtu. Që nga roje kantieri, teknikë, punëtorë se nuk e di çfarë aftësish kanë”, tha Rama.

Ministrja Balluku tha se deri të hënën, në kantierin e spitalit të ri të Fierit do të përfshihen 200 punonjës dhe 20 inxhinierë. Por deri në përfundim të procesit, pritet që të punësohen gjithsej 1200 punonjës. Balluku tha se punimet janë brenda afateve edhe për shkak të bashkëpunimit me të gjitha institucionet.

Më Të Klikuarat

Lajmet e fundit